AKTUALITET, 13 Maj 2025, 11:37

'Zbulohet' vendndodhja/ Drejt përfundimit numërimi në Fier, PS në epërsi të thellë! Ja nga ku e ndjek procesin Bardhi: S'ka lëvizur...!

'Zbulohet' vendndodhja/ Drejt përfundimit numërimi në

Po shkon drejt përfundimit numërimi i votave në Qarkun e Fierit. Në një lidhje me Dita Jonë, gazetarja e A2 CNN Ornela Joti, e cila prej dy ditësh raporton nga ky qytet bëri të ditur se janë disa KZAZ që nuk kanë përfunduar numërimin. Deri më tani janë numëruar 524 kuti nga 587 në total në qarkun e Fierit.

Sipas gazetares së A2 CNN në KZAZ 60, që është më e madhja në këtë qytet dhe gjatë ditës së djeshme ka pasur tensione, aktualisht është ndërprerë për t’u çlodhur numëruesit.

“Të gjithë numëruesit në KZAZ 60 pas një bllokimi dhe pezullimi numëruesit demokratë janë kthyer dje rreth orës 18;00, ndërsa sot në orën 6: 00 kanë ndërprerë procesin e numërimit për t’u çlodhur.  Janë numëruar më shumë se 45 kuti nga 97 që ka kjo KZAZ. Ka numër më të madh të votave në avantazh të PS”. 

Nga të dhënat e deritanishme PS është në epërsi të dukshme, duke marrë 3 mandate më shumë se në vitin 2021. Këtë vit ka pasur një numër më të ulët votuesish, por PS u rrit në këto zgjedhje nga 9 mandate ka marrë 12 mandate. Edhe drejtuesja politike e PS në këtë qark Belinda Balluku në një intervistë për A2 CNN dje, e cilësoi surprizë mandatin e 12 në Fier.

Një tjetër karakteristikë për Qarkun e Fierit është se në shumicë të dënuarit kanë votuar Partinë Socialiste me 217 vota dhe 92 vota për PD.

E pyetur për drejtuesin politik të PD-së për qarkun e Fierit Gazment Bardhi, gazetarja e A2 CNN tha se ai e ka ndjekur procesin nga shtabi elektoral.

“Nuk ka pasur dalje të tij në asnjë KZAZ, i vetmi që ka ndjekur ka qenë Luan Baçi. Bardhi ka vendosur ta ndjekë nga shtabi elektoral. Por nuk kanë munguar vëzhguesit e PD”.