TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deputetë të majtë dhe të djathtë në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë janë bërë bashkë për të bllokuar një projektligj të qeverisë për rritjen e pagave në administratën shtetërore. Kryetari i komisionit të ekonomisë, Eduard Shalsi është kujdesur që “pakti” mes PS dhe opozitës të mos regjistrohej nga kamerat dhe tetë minuta pasi nisi mbledhja e komisionit i kërkoi stafit që kamerat të fiken e për rrjedhojë edhe sistemi i regjistrimit audio të komisionit të mos regjistronte.
Një burim nga mbledhja e komisionit tha se Shalsi e kishte diskutuar këtë propozim më parë edhe me disa deputetë të tjerë përpara se ta hidhte për diskutim në mbledhje. “Unë e kam biseduar këtë çështje edhe me disa deputetë dhe do ta shtrojmë edhe këtu”, e hapi diskutimin pa kamera Shalsi. Gjatë mbledhjes së komisionit janë marrë shembuj të disa profesioneve si ai i mësuesit që me rritjen e pagave sipas deputetëve, do të paguhen më shumë se deputeti.
Në draftin e propozuar nga qeveria parashikohet që rroga e Presidentit të Republikës nga 257 mijë lekë në muaj që është aktualisht të rritet në 425 mijë lekë në muaj. Sot rroga e një deputeti është sa 61 për qind e pagës së Presidentit. Nëse qeveria do të kishte ruajtur të njëjtin koeficient për deputetët, për shkak të rritjes së rrogës së Presidentit edhe pagat e tyre do të rriteshin në të njëjtin raport. Por në projektligj Ministria e Financave ka propozuar që koeficienti për pagën e deputetëve të ulet në 36.9 për qind e rrogës së Presidentit.
Si rezultat, edhe pse rroga e Presidentit rritet me 65 për qind, paga e deputetit nuk ndryshon për shkak të uljes së koefiçentit. E njëjta skemë është ndjekur edhe me pagën e Kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, ministrave dhe disa funksionarëve të tjerë të lartë. Burimet thanë se deputetët do të paraqesin disa amendamente ku do të kërkohet respektimi i hierarkisë aktuale të pagave, çka do të thotë se me rritjen e pagës së Presidentit, rritet automatikisht edhe paga e deputetit. Amendamentet do të diskutohen pas zgjedhjeve së bashku me projektligjin e qeverisë./BW/