TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Policia ka arrestuar të shumëkërkuarin Eduart Kurti, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje me dashje. Mësohet se 48-vjeçari ka vrarë në vitin 2012 me armë zjarri dy vëllezërit Iglend dhe Sokol Haxhiali.
Njoftimi i Policisë:
Falë inteligjencës policore, strukturat e Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, lokalizojnë, kapin dhe vënë në pranga një shtetas të shumëkërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore. I shumëkërkuari nga Policia e Tiranës, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje me dashje, në rrethana të tjera cilësuese.
Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimin, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shumëkërkuar nga Policia e Tiranës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “End”. Si rezultat i këtij operacioni, në zonën e Ish-Fushës së Aviacionit, ditën e sotme, është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi Eduart Kurti, 48 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për vrasja me dashje, në rrethana të tjera cilësuese, pasi në vitin 2012, në Tiranë, 48-vjeçari, ka vrarë me armë zjarri dy vëllezërit, shtetasit I. H., 44 vjeç, dhe S. H., 41 vjeç. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.