AKTUALITET, 3 Gusht 2023, 13:03

Vrasja e Luljeta Prezës, deputetja e PD: Drithëruese! Sa gra të tjera kanë frikë të denoncojnë dhunën? Policia dhe shoqëria kanë dështuar

Vrasja e Luljeta Prezës, deputetja e PD: Drithëruese! Sa gra të

Deputetja demokrate Merita Bakiu ka reaguar pas vrasjes së 32-vjeçares Luljeta Prevza në Durrës, e cila u gjet e vdekur poshtë urës së Dajlanit.

Në një postim në Facebook,  Bakiu thotë se ngjarje të tilla tregojnë se si ka dështuar shoqëria, drejtësia e Policia. Ajo i bën thirrje sistemit të drejtësisë që mos të japin vendime të anuara apo mos të vonojnë vendimet për dhunën ndaj grave.

“Vrasja e grave në këtë vend është veçse lajm që përsëritet dhe nuk mbetet aktual mbi dy ditë. Është drithëruese dhe keqardhëse. Është trishtuese dhe ulëritëse për shoqërinë e familjen.

Për një nënë sot jeta nuk do të jetë më e njëjtë... Një grua tjetër diku aty në mesin tonë e cila dhunohet dhe ka frikë të reagojë e denoncojë do të flejë e shqetësuar me mendimin se nesër edhe ajo mund të ketë të njëjtin fat.

Thirrje sistemit të drejtësisë për më shumë kujdes, përgjegjësi e profesionalizëm; për të mos pasur vendime të anuara e të motivuara apo vonesa të paarsyetuara që prodhojnë viktima e dhunues.

Ngjarje të tilla tregojnë se ka dështuar shoqëria, drejtësia, Policia, institucionet.

Ngushëllime familjeve të viktimave. Zoti ua lehtësoftë dhimbjen”, shkruan Bakiu.