TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen e afateve të hetimeve dhe paraburgimit me tre muaj për Alda Klosin.
Ndërkohë avokati i saj Arbër Hoxhaj në një deklaratë për mediat sqaroi detaje nga seanca, duke theksuar se e akuzuara nuk ishte e pranishme, por qëndrimi i saj është se nuk ka dyshime të arsyeshme dhe hetim konkret për origjinën e parave të gjetura në shtëpinë e Rozeta Dobit.
“Alda Klosi nuk ishte prezentë, ligji e lejon edhe vetëm praninë e avokatit. Vullneti i saj është që të rrëzohet kërkesa e prokurorisë.
Ndaj saj duhet të kishte disa prova dhe një dyshim te arsyeshëm. Nuk ka dyshim të arsyeshëm dhe hetim konkret për origjinën e parave të gjetura në shtëpinë e Rozeta Dobit”, tha avokati.
Sa i takon pretendimit të Alda Klosit se ka fëmijë të mitur dhe nënën e sëmurë, avokati u shpreh se për fëmijët e saj nuk po kujdeset askush.
“Nuk po kujdeset asnjë për fëmijët. Ajo është e divorcuar, ka dy fëmijë të mitur, nënën e ka të verbër. Djali i saj ka lënë edhe shkollën sepse ka kriza të ankthit dhe depresionit. Duke para edhe interesin e fëmijës së mitur, masa e sigurimit duhet të ishte ndryshuar. Gjykata në kundërshtim me ligjin ka pranuar kërkesën e prokurorisë për të zgjatur me tre muaj afatet e hetimit”, u shpreh avokati.
AKUZAT
Alda Klosi është lënë në masën arrest me burg nga gjykata, pas zbulimit të një shumë parash në shtëpinë e saj të cilat u vodhën nga pastruesja Rozeta Dobi.
Mbi ish zyrtaren e shtetit, Alda Klosi të rëndojnë disa vepra penale.
“Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”;
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”; dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.
ARRESTIMI
Alda Klosi u arrestua mbrëmjen e 3 shkurtit pasi në banesën e saj, dyshohet se në muajin dhjetor, u vodhën mbi 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë nga Rozeta Dobi, e cila punonte si pastruese në banesën e marrë me qera prej zyrtares.
Dyshimet ndaj Klosit u shtuan, pasi ajo dha dy deklarime të ndryshme mbi paratë e vjedhura.
Ditën kur ndodhi grabitja në banesën e saj ajo deklaroi në polici se i mungonte vetëm një sasi parash që nevojiteshin për shpenzime dhe mbarëvajtjen jetike të përditshme.
Historia është ende nën hetim, pasi Rozeta Dobi dëshmoi se nuk i grabiti paratë, por e inskenoi të gjithë situatën në bashkëpunim me Alda Klosin. Këto pretendime pritet të zbardhen nga ana e Prokurorisë.