TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Fox News, i ka kushtuar një artikull vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja më 6 tetor në sallën e gjyqit, në Gjykatën e Apelit në Tiranë, duke e konsideruar si një ngjarje e cila ka nxjerrë në pah “problemet me reformën e sistemit të drejtësisë të mbështetur nga Perëndimi, e cila krijoi një numër të madh çështjesh të prapambetura”.
Më 6 tetor, gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, u qëllua brenda sallës së gjyqit në Tiranë, ku po drejtonte një çështje pronësie, sipas Komisionit Ndërkombëtar të Juristëve. Kalaja ndërroi jetë nga plagët, dhe dy persona të tjerë u plagosën, ndërsa një i dyshuar 30-vjeçar është arrestuar.
Vrasja e Kalasës u shndërrua shpejt në një simbol të pakënaqësisë masive me gjyqësorin në Shqipëri.
Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në SHBA dhe OKB, u shpreh për Fox News Digital se ndryshimet e zbatuara pothuaj një dekadë më parë me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-ve “synonin të forconin sundimin e ligjit”, por sipas tij “janë shndërruar në një instrument politik, duke minuar institucionet demokratike dhe duke përqendruar pushtetin në dorë të ekzekutivit.”
“Si rezultat,” tha Nesho, “besimi i publikut në sistemin e drejtësisë është gërryer rëndë, me mosfunksionimin institucional që ka arritur në një nivel ku disa segmente të shoqërisë ndihen të shtyra të marrin drejtësinë në duart e tyre, një shenjë e rrezikshme e kthimit prapa të demokracisë.”
Kreu i Partisë Demokratike të opozitës, Sali Berisha, tha për Fox News Digital se vrasja e Kalajës ishte “një akt i neveritshëm dhe një zile alarmi që nuk duhet injoruar”.
Berisha tha se “mbështetja e dukshme që ka fituar akti”, përfshirë krijimin e një GoFundMe, tani joaktiv, për të mbështetur të drejtat ligjore të vrasësit, tregon një “protestë kundër një gjyqësori jofunksional, kundër një sistemi gjyqësor të korruptuar dhe të politizuar”.
Berisha tha se reformat gjyqësore “e lanë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë për më shumë se pesë vjet”, duke krijuar një “numër të konsiderueshëm çështjesh të prapambetura” prej rreth 200,000 çështjesh.
Ai tha se procesi i verifikimit të personelit gjyqësor u shndërrua në “një gjueti shtrigash kundër magjistratëve që perceptoheshin si të pavarur ose potencialisht me prirje të djathta”.
Sipas Berishës, kjo çoi në “armatosjen e gjyqësorit kundër opozitës”.
Një raport i vitit 2020 mbi ndihmën e SHBA-së për Shqipërinë përshkruan përpjekjet amerikane dhe të BE-së për të “rivendosur integritetin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri”.
Raporti thotë se USAID-i ndihmoi Gjykatën e Lartë në krijimin e një procedure për të menaxhuar 72% të 35,000 çështjeve të prapambetura.
Gjithashtu deklaroi se 125 nga 286 gjyqtarë dhe prokurorë që iu nënshtruan procedurave të verifikimit ishin “shkarkuar për pasuri të pashpjegueshme, lidhje me krimin e organizuar ose paaftësi”, ndërsa 50 gjyqtarë zgjodhën të jepnin dorëheqjen në vend që t’i nënshtroheshin verifikimit.
Berisha pohoi se, pas reformave, tani duhen rreth 15-20 vjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ligjore. “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”, tha Berisha.
Avokati Besnik Muçi, ish-prokuror dhe gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, tha për Fox News Digital se reformat gjyqësore synojnë “të krijojnë një sistem drejtësie të besueshëm, të drejtë, të pavarur, profesional dhe të orientuar drejt shërbimeve, i cili është i hapur, i përgjegjshëm dhe efikas”.
Ai tha se sistemi i drejtësisë në Shqipëri “ka dështuar në pothuajse të gjitha parametrat”.
Muçi tha se numri i çështjeve të prapambetura në gjykata përbëhet nga rreth 150,000 çështje. Ai vuri në dukje gjithashtu se mbyllja e pesë gjykatave të apelit dhe disa gjykatave të shkallës së parë ka “pothuajse bllokuar aksesin e qytetarëve në drejtësi”.
Ai shpjegoi gjithashtu se shumica e ndërtesave të gjykatave nuk “përmbushin … kushtet dhe standardet e sigurisë të nevojshme”.
“Qytetarët nuk besojnë te sistemi i drejtësisë”, tha Muçi.
Pas vrasjes së Kalajës, Shoqata e Avokatëve të Korçës dhe Shoqata Kombëtare e Avokatëve të Shqipërisë bojkotuan seancat gjyqësore më 9-10 tetor. Drejtori i Shoqatës së Avokatëve të Korçës, Nevzat Tarelli, tha për stacionit të lajmeve CNA se vrasja e Kalajës nxori në pah nevojën për rritje të sigurisë dhe besimit tek personeli gjyqësor. Ai tha gjithashtu se “njerëzit që presin drejtësi në kohën e duhur, nëse nuk e marrin atë, nuk kanë më besim tek drejtësia”.
Engjëll Agaçi, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, nuk iu përgjigj pyetjeve të Fox News Digital në lidhje me pakënaqësinë mbarëkombëtare me gjyqësorin apo madhësinë e numrit të madh të çështjeve të prapambetura gjyqësore në Shqipëri.
Edhe një zëdhënës i Departamentit të Shtetit nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me suksesin e përpjekjeve të reformës gjyqësore të mbështetura nga SHBA-të në Shqipëri ose të trajtonte çështjet që ka nxjerrë në pah vrasja e Kalajës.
“Ne u shprehim ngushëllimet tona më të thella viktimave të këtij sulmi dhe familjeve të tyre dhe dënojmë fuqimisht përdorimin e dhunës kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha zëdhënësi.