AKTUALITET, 11 Tetor 2025, 22:34

Shkatërrohet rrjeti i drogës në Itali, shqiptari kapet me 13,800 euro cash nga shitja e mallit

Shkatërrohet rrjeti i drogës në Itali, shqiptari kapet me 13,800

Një operacion i gjerë antidrogë i policisë italiane ka çuar në arrestimin e shtatë personave, mes tyre një shtetas shqiptar dhe gjashtë italianë, të akuzuar për trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.

Sipas hetimeve të Komisariatit Scalo Romana, policia zbuloi disa apartamente të përdorura si magazina droge në zonat Pieve Emanuele, Cornaredo dhe Bollate, ku u sekuestruan dhjetëra kilogramë hashash, marihuanë dhe kokainë, si dhe mijëra euro cash, peshore precize e pajisje për paketim.

Gjatë një prej kontrolleve, në banesën e një 29-vjeçari italian u gjetën 14.5 kg hashash të fshehura në frigorifer dhe mbi 3 kg mariJuanë.
Ndërkohë, në një tjetër ndërhyrje, policia ndaloi një 49-vjeçar shqiptar, i cili kishte 13,800 euro të fshehura në të brendshme, të dyshuara si përfitime nga shitja e drogës. Në shtëpinë e tij në Cesano Maderno (Monza e Brianza) u gjetën edhe 5,000 euro të tjera.

Në fund të operacionit, hetuesit zbuluan dhe një vilë në Cornaredo që shërbente si bazë për magazinimin e drogës, ku u sekuestruan 7.2 kg hashash, afro 4 kg kokainë dhe 4 kg mariJuanë.

Hetimet po vijojnë për të zbuluar nëse rrjeti kishte lidhje me grupe të tjera të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.