AKTUALITET, 16 Nëntor 2022, 11:01

Vrasja e Englantina Bucit, Apeli lë në fuqi vendimin me 50 vite burg për Faik dhe Shkëlzen Bucin

Vrasja e Englantina Bucit, Apeli lë në fuqi vendimin me 50 vite burg

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me 50 vite burg të Faik dhe Shkëlzen Bucit, të akuzuar për vrasjen e Englantina Buci rreth 10 vite më parë.

Baba e bir u dënua me nga 25 vite burg secili në shkurt 2022, por ata apeluan vendimin.

Megjithatë Gjykata e Apelit ka vendosur të lërë në fuqi masën e dhënë ndaj babait dhe vëllait të viktimës, të cilët akuzohen për veprën penale vrasja me paramendim e kryer në bashkëpunim.

“Deklarimin fajtor të të pandehurit Shkëlzen Buçi për kryerjen e veprës penale vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 25 vite burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Faik Buçi për vrasje me paramendim kryer në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 25 vite burg. Deklarimin fajtor të Faik Buçit për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta dhe dënimin me 1 vit burgim, në total me një dënim të vetëm prej 25 vitesh burg”, u tha në vendimin e Gjykatës së Tiranës në shkurt.

Vrasja e Eglantina Bucit

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vitin 2012, por është zbardhur vetëm në 2020. Kjo pasi në Malin me Gropa u gjet një skelet i groposur, ku pas analizave, rezultonte të jetë i Eglantina Bucit.

Për këtë ngjarje të rëndë, u akuzuan babai dhe vëllai i të ndjerës.

Shkëlzen Buci, vëllai i Eglantinës ka thirrur motrën e tij për kafe, teksa i shoqëronte dhe shoku i tij. Gjatë rrugës për tek Mali me Gropa, Eglantina e ka kuptuar se diçka nuk po shkonte.

Aty Shkëlzeni ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar me një plumb. E gjithë skena është parë nga shoku, i cili ka ndërhyrë duke i thënë “më vrit dhe mua”, por që Shkëlzeni nuk e ka bërë.

Ka qenë dëshmia e këtij, që ka shërbyer si spunto më pas për zbardhjen e këtij krimi, edhe pse 8 vite më pas. Nisur nga kjo, shoku ka marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur.