AKTUALITET, 3 Shtator 2023, 18:48

Vizita në Shqipëri, presidentja Osmani do t'i dorëzojë Ismail Kadaresë nënshtetësinë e Kosovës

Vizita në Shqipëri, presidentja Osmani do t'i dorëzojë
Kadare dhe Osmani

Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, është nisur për një vizitë dy-ditore në Shqipëri. Pjesë e axhendës është edhe takimi me shkrimtarin me famë botërore, Ismail Kadare, të cilit përmes një ceremonie do t'i dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës.

Osmani e nënshkroi dekretin më 1 gusht. Sipas saj, dhënia e nënshtetësisë ikonës së letërsisë shqipe, është nderim për shtetin e Kosovës.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj ndihen të nderuar nga personaliteti i shquar i kombit, shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare, i cili me krijimtarinë e tij ka afirmuar gjuhën, kulturën dhe traditën tonë”, u shpreh Osmani.

Në qershor, Kadare u nderua me urdhrin “Hasan Prishtina”, më i larti që Republika e Kosovës ndan për personalitetet më të shquara të kulturës, artit, dhe shoqërisë.

Osmani vjen në Tiranë me ftesë të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj dhe atje do të pritet me nderime të larta shtetërore.

“Përveç takimit tête à tête, të dy presidentët do të takohen edhe me delegacione”, njoftoi Presidenca e Kosovës.

Pas takimit, të dy presidentët do ta mbajnë një konferencë të përbashkët për media, ndërkaq në mbrëmje Begaj do të shtrojë darkë shtetërore për Osmanin dhe delegacionin nga Kosova.

Osmani në këtë vizitë do të shoqërohet nga bashkëshorti Prindon Sadriu, i cili, siç njoftohet, “gjatë ditës do të vijojë me agjendë të përbashkët me Zonjën e Parë të Shqipërisë, Armanda Begaj”.

“Gjatë kësaj vizite, Presidentja Osmani do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama. Pas takimit, Presidentja me delegacionin e saj do të priten në drekë zyrtare nga Kryeministri Rama. Presidentja poashtu do të pritet në takim edhe nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj.Lindita Nikolla”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në agjendën e Osmanit është edhe një aktivitet i përbashkët i dy presidentëve me rastin e Ditës së Nënë Terezës në ekspozitën e Arkivave në Presidencën e Shqipërisë. Poashtu, në Tiranë Presidentja do të ketë edhe një takim me grupin e grave deputete, vizitë te Muzeu i Gjetheve dhe aktivitete të tjera.

“Në kuadër të kësaj vizite shtetërore, Presidentja Osmani në një ceremoni do t`ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare”.

“Agjenda do të vijojë në qytetin e Beratit, ku pas takimit me kryetarin e Bashkisë, Ervin Demo, Presidentes do t`i dhurohet titulli më i lartë i qytetit “Patroni i Kalasë”, e më pas do të vizitohen Kisha e Shën Mërisë dhe Muzeu Onufri”, thuhet në njoftim.

Në Durrës ndërkaq, Osmani do ta ketë një takim me kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako, do ta vizitojë Torrën Veneciane dhe Zyrën Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit.