AKTUALITET, 21 Dhjetor 2025, 19:03

Viktor Zhusti akuzon Adriatik Lapajn se e mashtroi për foton, i përgjigjet kreu i "Shqipëria Bëhet"

Viktor Zhusti akuzon Adriatik Lapajn se e mashtroi për foton, i

Aktori i njohur Viktor Zhusti ka reaguar ashpër në rrjetet sociale ndaj Adriatik Lapajt, pas publikimit të një fotografie të përbashkët mes tyre të shkrepur para Kryeministrisë aty ku dhe prej ditësh tanimë kryetari i lëvizjes “Shqipëria Bëhet” është stacionuar për të kërkuar dorëheqjen e Ramës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zhusti pretendon se foto ishte realizuar nga Lapaj vetëm për përdorim privat dhe me premtimin se nuk do të publikohej. Megjithatë, ajo u shpërnda më pas në rrjetet sociale, dhe sipas aktorit, u përdor për qëllime politike, duke e paraqitur atë kështu si mbështetës të kësaj force, të cilën ai thotë se nuk e ka përkrahur asnjëherë.

“Duke e shoqëruar foton me komentin “erdhi na takoi dhe na dha energji pozitive”… më bën përkrahës e simpatizant të partisë e lëvizjes tënde, “Shqipëria bëhet”, gjë që as më ka shkuar ndonjëherë ndërmend, pasi, sipas meje, Shqipëria, vërtet do bëhet, emancipohet, modernizohet, europianizohet, por, VETËM me ata, kundër të cilëve ju, po luftoni me çdo mjet e mënyrë”, shkruan Zhusti.

Aktori shprehet se publikimi i fotos i ka shkaktuar shqetësim, reagime negative dhe zhgënjim të thellë, pasi është shkelur besimi që kishte dhënë.

Pas reagimit të aktorit, ka ardhur edhe përgjigjja e Adriatik Lapajt. Ky i fundit mohon kategorikisht pretendimet e Zhustit, duke deklaruar se aktori kishte dhënë vetë miratimin për publikimin e fotos. Lapaj shton se reagimi i Zhustit nuk lidhet me publikimin e fotos, por me frikën nga reagimet që ajo ka shkaktuar.

“I nderuar artist, në asnjë rrethanë nuk do të bëja replikë me ju, por ndihem më shumë se i habitur me atë që keni shkruar, të cilën ju e dini mirë se është e pavërtetë. Ndoshta fotoja me mua, “armikun e sistemit”, siç edhe vetë e thoni ju, ka shkaktuar shumë armiqësi, por ky nuk është faji im; nga sa duket, mbetet frika juaj.

Shumë dëshmitarë ishin aty dhe është e provueshme që unë ju thashë “s’po e postoj” dhe ju thatë “postoje pa problem”. Meqë jeni shqetësuar kaq shumë, foton e heq unë, “armiku i popullit”, por ndërgjegjja juaj e di që e vërteta është ndryshe. Mbiemrin unë e kam Lapaj”, shkruhet në komentin që Lapaj i ka lënë Zhustit në komentet e postimit të tij.

Viktor Zhusti akuzon Adriatik Lapajn se e mashtroi për foton, i

Reagimi i Zhustit

Nuk di a të kam sjellë ndonjë të mirë me dëshirën që të bëje një foto private, kur isha duke kaluar për në shtëpi mbas shfaqjes, por mua, veç dëm e shqetësim më ke sjellë.

Pranova të beje foto vetëm për albumin tënd privat meqë “ kishe shumë simpati si aktor” dhe më premtove që nuk do ta postosh, madje i thashë dhe bashëluftëtarit tënd, artistit të kaq e ka filmave dhe kandidatit për deputet të “Shqipëria bëhet”, djalit të mikut tim të çmuar, Gent Kames, që të mos e postosh

(po vendos dhe mesazhin për të dhe premtimin e tij) por juve, duket e kishit të nevojshme, një shashkë propagandistike për 22 dhjetorin…

Duke e shoqëruar foton me komentin “erdhi na takoi dhe na dha energji pozitive”… më bën përkrahës e simpatizant të partisë e lëvizjes tënde, “Shqipëria bëhet”, gjë që as më ka shkuar ndonjëherë ndërmend, pasi, sipas meje, Shqipëria, vërtet do bëhet, emancipohet, modernizohet, europianizohet, por, VETËM me ata, kundër të cilëve ju, po luftoni me çdo mjet e mënyrë.

Me postimin tënd më ke sjellë mjaft armiqësi, qejfmbetje dhe komente negative, për të cilat nuk kisha nevojë.

Po, nuk është hera e parë që dal i zhgënjyer nga miqësitë e rrugës…