AKTUALITET, 15 Mars 2022, 14:43

Vidhnin banesa dhe biznese në Kamzë, tre të rinj në pranga

Vidhnin banesa dhe biznese në Kamzë, tre të rinj në pranga

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Universi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, ndërsa në pranga kanë rënë tre persona.

Burime zyrtare bënë me dije se të rinjtë akuzohen për tre raste të vjedhjeve të ndryshme të banesave dhe të bizneseve në zonën e Kamzës.

NJOFTIMI I POICISË

Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 5

Vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.

Zbardhen dhe dokumentohen 3 raste të vjedhjeve të ndryshme, të kryera nga këta shtetas.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin “Universi” në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit:

– I. Xh. (D)., 35 vjeç, S. D., 20 vjeç, F. D., 19 vjeç, të tre banues në Bathore, për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u shpall në kërkim shtetasi Q. H., 31 vjeç, banues në Paskuqan.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë ditëve të fundit, në vende të ndryshme, gjatë orëve të vona të natës, kryenin vjedhje banesash dhe biznesesh në zonën e Kamzës.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të 3 rasteve të vjedhjeve të ndryshme, konkretisht:

Më datë 27.02.2022, në rrugën “Demokracia”, në Paskuqan, dyshohet se kanë vjedhur në biznesin në pronësi të shtetasit I. D.;

Më datë 12.03.2022, në Bathore, dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash në banesën e shtetasit Sh. B.;

Gjithashtu, po më datë 12.03.2022, në rrugën “Shupenza” në Bathore, dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash në banesën e shtetasit Sh. K.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.