AKTUALITET, 15 Qershor 2022, 09:46

VIDEO/ Rama dhe Abazoviç shohin shkatërrimin pranë Kievit: Jemi dëshmitarë të ferrit të luftës

VIDEO/ Rama dhe Abazoviç shohin shkatërrimin pranë Kievit: Jemi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviç kanë mbërritur në kryeqytetin e Ukrainës, në Kiev.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Abazoviç ka publikuar  edhe pamjet nga Borodjanka, ndërsa shkruan se bashkë me Ramën janë dëshmitarë të  ferrit të shkatërrimit të luftës.

Vizita e tyre atje vjen pas ftesës që ua ka bërë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Qeveria e Malit të Zi ka njoftuar më 12 qershor se kreu i saj, Abazoviç , ka pranuar ftesën e Zelenskyt.

Ukraina ndodhet nën pushtimin e Rusisë qysh më 24 shkurt. Aktualisht, luftimet janë të përqendruara në pjesën lindore të këtij vendi.

Perëndimi e ka dënuar ashpër sulmin, duke e ndëshkuar Rusinë me sanksione të ashpra ekonomike dhe diplomatike. Ukrainën, ndërkaq, është duke e ndihmuar me armatim.

Presidenti i Ukrainës, Zelensky, ka mbajtur një fjalim para Kuvendit të Shqipërisë, më 3 maj. Duke folur përmes video-lidhjes, ai ka kërkuar nga ky vend që t’i mbyllë portet për anijet ruse dhe të kufizojë ardhjen e turistëve rusë.