TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një incident ka ndodhur ditën e sotme në Tiranë, ku një person i cili drejtonte makinën në gjendje të dehur, nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar. Sipas uniformave blu, shtetasi me iniciale A.D. udhëtonte me një fëmijë 5-vjeçar, pa rrip sigurimi.
Ai është ndaluar fillimisht në Rrugën Bardhyl në kryeqytet, ku refuzoi t’i nënshtrohej testit të alkoolit dhe është larguar me automjet.
Policia i është vënë nga pas dhe në rrugën “4 dëshmorët” bënë të mundur ndalimin e tij, ku për herë të dytë, ai refuzoi t’i nënshtrohej testit të alkoolit.
Efektivët e shoqëruan në komisariat, ku më pas njoftuan nënën e 5-vjeçarit për ta marrë. Shtetasi A.D. u arrestua nën akuzën e “drejtimit të automjeteve në gjendje të dehur” dhe “mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.
Njoftimi i policisë:
Në zbatim të masave për parandalimin e aksidenteve rrugore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë po vijojnë kontrollet e dedikura, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të kodit rrugor, që janë burim potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Në këtë kuadër, shërbimet e Policisë Rugore kanë ndaluar në Rrugën Bardhyl automjetin tip “Volksëagen” me drejtues shtetasin A. D., pasi është konstatuar që mbante në vendin e parë të mjetit, një fëmijë pa sisteme fiksimi, duke qenë në shkelje të rëndë të Kodit Rrugor.
Gjatë kontrollit policor, në komunikimin me efektivët, drejtuesi i mjetit ka shfaqur shenja të përdorimit të alkoolit. Pasi i është kërkuar që të kryejë testin e alkoolit, ai ka refuzuar dhe është larguar menjëherë me mjet, me shpejtësi, dhe për këtë arsye, punonjësit e Policisë i janë vënë menjëherë në ndjekje dhe në rrugën “4 Dëshmorët” kanë bërë ndalimin e tij.
Drejtuesi i mjetit sërish ka refuzuar t’i nënshtrohej testit të alkoolit dhe pas këtij kundërshtimi të dytë është shoqëruar për në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë, ku edhe në ambientet e Komisariatit ka refuzuar t’i nënshtrohej testit të alkoolit.
Gjatë shoqërimit për në Komisariat të drejtuesit të mjetit, janë njoftuar familjarët e fëmijës 5-vjeçar, i cili është marrë më pas nga nëna e tij.
Pas kryerjes së testit të alkoolit ka rezultuar se shtetasi A. D. drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 0.86 mg/l.
Përveç ndëshkimit për shkeljet rrugore, ku i është pezulluar leja e drejtimit për 24 muaj, iu zbtritën 15 pikë nga leja e drejtimit dhe u ndëshkrua me masë administrative me 30.000 lekë të rinj.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit për veprat penale të “Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.