AKTUALITET, 14 Qershor 2022, 19:59

Krim horror në Spanjë, nëna shqiptare dhunon për vdekje fëmijën e saj dy vjeç, binjaku përfundon në spital me plagë të shumta

Krim horror në Spanjë, nëna shqiptare dhunon për vdekje

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Spanjë, ku një grua shqiptare dyshohet se ka vrarë fëmijën e saj rreth dy vjeç. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin e vogël të Alicante, Bigastro, të shtunën e 11 qershorit, ku 32-vjeçarja shqiptare është arrestuar nga policia.

Siç raportojnë mediat spanjolle, pas vrasjes së vogëlushit të saj e reja shqiptare ka tentuar të vrasë veten.

Nga hetimet është zbuluar se fëmija ka pasur një “vdekje të dhunshme”, ndërkohë që ka përfunduar në spital vëllai binjak i viktimës, i cili kishte plagë të ngjashme me ato viktimës në të gjithë trupin.

Ka qenë vetë gruaja shqiptare, e cila ka thirrur shërbimet e urgjencës, duke kërkuar një ambulancë që t’i vinte në ndihmë djalit të saj, i cili në ato momente ka qenë pa ndenja, për shkak të një goditjeje të fortë, që sipas 32-vjeçares, i ishte shkaktuar aksidentalisht teksa luante.

Me të mbërritur në shtëpinë e shqiptares, shërbimi i urgjencës ka vërtetuar vdekjen e vogëlushit, për shkak të arrestit kardiorespirator. Pikërisht në atë moment ata kanë pikasur në shtëpi edhe vëllanë binjak të viktimës, i cili si 2-vjeçari i ndjerë, kishte disa mavijosje, që tregonin për keqtrajtim nga e ëma, që ishte e vetmja bashkëjetuese në banesë.

Për të vërtetuar ngjarjen horror, viktima është dërguar në spitalin e Alicante-s, ku i janë kryer analizat radiodiagnostike, që vërtetuan se për shkak të dëmtimeve të pësuara, veçanërisht fraktura, nuk bëhej fjalë për ngjarje aksidentale, por për vrasje. Autoritetet lokale pritet të vendosin ditën e martë për nënën e të ndjerit dhe binjakut, që ndodhet në spital me plagë të shumta në trup.