TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në pamjet e siguruara nga Top Channel shihet momenti i vënies së zjarri të biznesit të mobilierisë në Vlorë.
Sipas burimeve policore, rreth orës 03:00 të mëngjesit, një person i maskuar është filmuar nga kamerat e sigurisë teksa i afrohet objektit, thyen xhamin e derës me një çekiç dhe më pas, duke përdorur një bidon të mbushur me benzinë, i vë flakën mobilierisë.
Autori më pas është larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Flakët janë vënë re nga një fqinj, i cili ka njoftuar menjëherë pronarin e biznesit, Eduart Aliko. Ky i fundit ka mbërritur në vendngjarje vetëm pak minuta më pas dhe ka parë se kati i parë i mobilerisë ishte përfshirë tërësisht nga zjarri.
Në vend kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, megjithatë dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Pamjet e kamerave të sigurisë janë sekuestruar si provë materiale.
Pronari i biznesit, i cili u përfshi nga flakët në Vlorë ka deklaruar se nuk ka konflikte me asnjë njeri dhe se nuk është një njeri konfliktual.
Gjatë një deklarate për mediat, pronari i mobilerisë Edi Aliko u shpreh se personi, i cili ka vendosur zjarrin është i dukshëm në kamerat e sigurisë.
Aliko tha se dëmi i shkaktuar shkon në shumën 3 milionë lekë të reja. Në fund, ai deklaroi se me personat që punon dhe bashkëpunon nuk ka asnjë lloj dyshimi.
“Unë nuk kam ndonjë konflikt dhe nuk jam njeri konfliktual, jam shumë paqësor. Ja lë drejtësisë këtë shërbim, i cili është i detyruar ta bëjë, sepse kamerat janë aty, personi është i dukshëm dhe mendoj se shumë shpejt do të zbardhet ngjarja. Dëmi duhet të shkoj 3 milionë lekë të reja. Unë nuk kam konflikte dhe prandaj Ja kam lënë edhe drejtësisë. Me njerëzit që punoj dhe bashkëpunoj nuk kam asnjë lloj dyshimi”, tha ai.
