AKTUALITET, 11 Nëntor 2025, 09:45

Dyshohet se kërkoi vota për PSD-në për zgjedhjet e 11 majit, kreu i bashkisë së Vaut të Dejës paraqitet në GJKKO për seancën paraprake

Dyshohet se kërkoi vota për PSD-në për zgjedhjet e 11 majit,

Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristjan Shkreli është paraqitur sot në GJKKO për seancën e parë paraprake pasi SPAK kërkoi kalimin për gjykim të dosjes në ngarkim të tij. Kryebashkiaku socialist akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhjet e 11 majit dhe se u kërkonte banorëve vota në favor të PSD-së së Tom Doshit.

Sipas SPAK, gjatë fushatës se 11 majit, Shkreli “u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë në Bashkinë e Vaut të Dejës, në këmbim të votës për Partinë Socialdemokrate”.

Prokuroria tha se Shkreli ka shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatt Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike, investim i realizuar gjatë fushatës.

Sipas njoftimit të SPAK, ky episod është një fraksion i hetimit për korrupsion aktiv në zgjedhje ndaj kryebashkiakut Shkreli, çështje për të cilën hetimi vijon dhe dyshohen të përfshirë edhe persona të tjerë.