AKTUALITET, 21 September 2026, 13:21

'Po sikur të shkoj para dhjetorit?'/ Forumi i IDU, Berisha paralajmëroi se do të udhëtojë sërish për në SHBA

Kryetari i PD Sali Berisha ka konfirmuar lajmin e dhënë nga media, për një tjetër udhëtim drejt SHBA. Në dalje nga SPAK ku zbatoi vendimin e detyrim paraqitje ai tha se  po shqyrton mundësinë të udhëtojë në Uashington për forumin e IDU-së.

Një ditë pas publikimit të lajmit nga media për një vizitë të mundshme të tij në Shtetet e Bashkuara në muajin dhjetor, Sali Berisha konfirmon se po shqyrton mundësinë e vizitës në Uashington për të marrë pjesë në forumin e IDU.

Në dalje prej SPAK ku ishte në zbatim të masës së sigurisë për dosjen “Partizani” ku është person në gjykim, lideri i opozitës pohoi se udhëtimi në SHBA mund të bëhet edhe më herët se fillimi i dhjetorit

“A do shkoj në dhjetor në Uashington? Po sikur të shkoj para dhjetorit? Për forumin, do ta marr vendimin më vonë, në parim po, por nuk është vendimi përfundimtar”.

Në një kohë që lideri demokrat po mendon të udhëtojë sërish përtej oqeanit, Kryeministri Edi Rama ndodhet atje dhe zhvilloi një takim me shqiptarët.

“E patë, e patë ç’i bënë? Shqiptarët kundër! Zhvilloi, dhe Fox News, në televizionin kryesor protesta e shqiptarëve kundër tij. Protesta atje, protesta në Detroit, me gjithë fushatën e kërcënimeve. Dhe i falënderoj shumë diasporën guximtare që i tha se ti je personi më i urryer”.

Para dyerve të SPAK, Berisha sulmoi prokurorët e posaçëm të cilët i etiketoi si skllevër të Edi Ramës, duke i akuzuar se nuk po hetojnë asnjë çështje kundër kreut të ekzekutivit.

“Ky organ është thjesht një hetuesi private e Edi Ramës, që komandohet prej tij dhe që funksionon në mburojë të krimeve monstruoze që Edi Rama kryen bashkë me suitën e tij të ngushtë”.

Lideri demokrat do të paraqitet sërish pas dy javësh në SPAK, ndërsa gjyqi kundër tij vijon në gjykatën e posaçme.