TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Përfaqësuesit ligjor të Partisë Demokratike, Rezarti Kthupi dhe Indrit Sefa, kanë folur pas vendimit të Gjykatës së Tiranës. Kjo e fundit vendosi sot pezullimin e çështjes për shqyrtimin e kërkesës së kryedemokratit Lulzim Basha, për miratimin e Kuvendit Kombëtar të 2 Shtatorit, duke pranuar kërkesën e grupit të deputetëve të drejtuar nga Gazment Bardhi.
Pas këtij vendimi të Gjykatës, ka ardhur edhe reagimi i përfaqësuesve ligjor të PD-së, të cilët kanë thënë se vendimi nuk ka të bëjë me drejtimin e PD-së, por ishte një formalitet. Sefa tha se megjithëse Gjykata pezulloi gjykimin e çështjes, PD do të drejtohet me statutin e miratuar në Kuvendin e 2 shtatorit.
“Partia vazhdon të funksionojë me të njëjtat ritme. Ne kërkonim që shqyrtimi të zhvillohej. Ne jemi të sigurt se dokumentacioni që është prodhuar nga Kuvendi i 2 shtatorit është i rregullt. Kundërshtarët tanë kërkonin çdo gjë tjetër përveç shqyrtimit gjyqësor. Nuk jemi në kushtet e regjistrimit të kryetarit. Kërkesa është regjistrimi i ndryshimeve të Statutit të 2 shtatorit. Ne donim ta çonim këtë shqyrtim deri në fund.”, tha Kthupi.
Sakaq, Sefa shtoi se: “Në lidhje me organet legjitime të PD, keni vendimmarrje që e kanë ndarë çështjen e përfaqësimit të PD, që njeh kryetar zotin Lulzim Basha. Ke vendimin e KAS-it me të njëjtën vendimmarrje. Kjo është një çështje që në bazë të ligjit, ka një rregull që çdo ndryshim ligjor t’I paraqitet gjykatës. Ne iu drejtuam Gjykatës, por nëse palët e tjera nuk duhen të përballen me argumenta, është puna e tyre. Ne jemi gati të përballemi. Çdo vendimmarje e statutit të PD, është në fuqi për organizimin e brendshëm në PD. Vendimi i sotëm i Gjykatës nuk ndryshon asgjë në funksionimin e PD-së. Ne do të funksionojmë në bazë të Statutit të 2 shtatorit. Në regjistrin e partive politike regjistrohen vetëm ndryshimet. Ne nuk kemi asnjë problematikë në lidhje me vendimmarrjen.”.
Por nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i Grupit Parlamentar të PD-së, të drejtuar nga Gazment Bardhi, është shprehur se ky ka qenë një vendim i drejtë. “Gjykata e Tiranës vendosi sot që ëndrra e Lulzim Bashës për t’u bërë kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, kundër vullnetit të demokratëve, do të vijojë të qëndrojë e mbyllur në sirtarin e Lindita Nikollës.”, tha Marash Logu.