AKTUALITET, 11 Mars 2025, 17:30

Shtyhet gjyqi për masën e sigurisë ndaj Veliajt, Dumani dhe Dado paraqitën prova të reja

Shtyhet gjyqi për masën e sigurisë ndaj Veliajt, Dumani dhe Dado

Erion Veliaj ka dalë sot para Apelit të Gjykatës së Posaçme, për të kërkuar zbutjen e masës së sigurisë "arrest me burg". 

Kryebashkiaku i Tiranës, që vazhdimisht e ka cilësuar arrestimin e tij si të paligjshëm dhe ka hedhur akuza të rënda ndaj prokurorit të çështjes, Ols Dado, ka qenë sot prej orës 10:00 në seancën që zgjati shtatë orë dhe u drejtua nga gjyqtari Engert Pëllumbi.

Gjyqi u shty për ditën e nesërme në orën 12:30, pasi prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado kanë paraqitur prova të reja dhe avokatët duhet të njihen me to. 

Ende nuk dihet se për çfarë provash të reja bëhet fjalë. 

Masën e kanë ankimuar edhe katër biznesmenët e dyshuar për korrupsion në këtë çështje, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula, aktualisht nën masën “detyrim paraqitje”, ndërsa biznesmeni Elman Abdule, i arrestuar, kërkon një masë më të butë se paraburgimi. Ndërkohë biznesmenët Sokol Kryeziu dhe Fatmir Bektashi nuk e kanë ankimuar vendimin e Gjyktës së Posaçme, “detyrim paraqitje”.

Veliaj dyshohet për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”, të kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, e cila po hetohet në masë detyrim paraqitje, edhe për mosdeklarim pasurie.