TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar ekspertim të dytë të rezultateve të autopsisë për shkaqet e vdekjes së 3-vjeçarit Brian Spahiu, i cili humbi jetën në fillim të muajit tetor pas një ndërhyrje kirurgjikale në 14 dhëmbë në klinikën e mjekut Roland Xhaxho.
Organi i akuzës ka administruar pak kohë më parë autopsinë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, rezultatet e të cilave nuk janë bërë publike edhe me insistimin e medias. Mbetet e paqartë pse akuza ka kërkuar riekspertim, por rezultatet e reja pritet të dalin në fillim të javës së ardhshme.
Akuzat ndaj mjekut Roland Xhaxho
Babai i Brianit ka hedhur akuza ndaj mjekut Ronald Xhaxho duke thënë se djali do të bënte vetëm pastrim gurëzash, por klinika i ka bërë 14 dhëmbë.
Në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24, i ati i 3-vjeçarit u shpreh se mjeku ka gënjyer kur tha se djali ka dalë duke qarë nga klinika dhe duke kërkuar të vëllain.
Sipas babait, vogëlushi s’ka folur asnjë fjalë pas operacionit dhe doli i përgjumur.
Gjithashtu theksoi se “gjendja e gruas është e rënduar, është lehonë, se djali i vogël është 2 muajsh. Kërkoj të drejtën që ai doktor mos të ekzistojë më. Nuk mund ta quaj më mjek, as atë as stafin që ka atje. Shqetësimi ishte mbidoza e narkozës”.
Baba i 3-vjeçarit: “Djali për herë të parë në klinikë ka shkelur vetëm ditën e operacionit. Djali ka bërë operacion para dy vitesh, kam diskutuar edhe me doktorin, kam marrë edhe letër me vulë nga kardiopediatri, që ndiqte Brianin. Mjeku më tha që nuk ka asnjë problem fare që kishte bërë operacion në zemër. E çova për pastrim dhëmballe djalin atë ditë.
Unë në kohën që ky vazhdonte me ndërhyrjet e kam pyetur disa herë për pastrimin e gurëzave.
I kam thënë “mund të bëjmë një dhëmb sot, një nesër”. Më ka thënë “jo, sot”. Kam shkuar me bashkëshorten, gjyshin e tij dhe dajën e djalit. Nuk është kuruar asnjëherë për infeksion në gojë.
Çdo 6 muaj bënim analizat, në datën 28 ai ka bërë vetë analizat. Mjeku tha që janë në rregull, vazhdojmë procedurat.
Kam folur me Roland Xhaxhon dhe Ina Xhaxhon. Ai më tha që do zgjaste operacioni maksimumi 3 orë.
Më ka thënë anestezi e gjenerale, jo totale siç thotë ai. Briani u fut rreth orës 10:00 të mëngjesit dhe ka dalë në 19:00. I trokita tek dera disa herë thanë vazhdon procedura. Briani është shumë në rregull tha mjeku, pas përfundimit të ndërhyrjes.
Nuk është e vërtetë që djali ka dalë duke qarë, ishte i përgjumur. E kishim lënë për 1-2 dhëmbë, në fund kur do bënim pagesën na thanë 14 dhëmbë.
Mjekun e telefonova kur djalit filloi që t’i ngrihej temperatura. Nuk ia uli temperaturën, e dërgova në reaminacion. E pavërtetë që ka kërkuar të vëllain. Në atë përgjumje, jo ai që është i vogël, por as ne s’mbajmë mend. Nuk kishte filluar ende të fliste. Djali s’ka folur asnjë fjalë pas operacionit. E kam telefonuar unë, kunati.
Më pas i kam dërguar njerëz atje. Ai e di 100% se çfarë ka bërë ndaj nuk e hapte telefonin. Mjeku erdhi ditën e nesërme, atë ditë s’ka ardhur. Mjekët na thanë se djali është në gjendje të rënduar nga narkoza.”
Prokuroria nis procedim penal
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndaj mjekut Roland Xhaxho dhe stafit të klinikës për ‘Neglizhencë në trajtimin mjekësor’, për vdekjen e djalit 3-vjeçar i cili humbi jetën pas një ndërhyrje dentare.
Prokuroria njofton se po vijon kryerja e veprimeve të tjera procedurale në lidhje me procedimin penal, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së 3-vjeçarit.
“Fëmija 3-vjeçar humb jetën pas trajtimit në klinikë, Prokuroria Tiranë nis hetimet për ‘Neglizhencë në trajtimin mjekësor’
Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e madhe të opinionit publik për ngjarjen ku i mituri me inicialet B.S., humbi jetën pas trajtimit në një klinikë private, si dhe interesin e shtuar të medias në lidhje me këtë çështje, Prokuroria Tiranë dëshiron të informojë se:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Tiranë, mbi bazën e materialit të referuar nga Komisariati i Policisë Nr.4 më shkresën Nr.7057/k Prot të datës 04.10.2023, ka regjistruar më datë 05.10.2023 procedimin penal nr.6477 të vitit 2023, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, parashikuar nga neni 96 i Kodi Penal.
Nga ana e prokurorisë, po vijon kryerja e veprimeve të tjera procedurale në lidhje me procedimin penal, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së shtetasit”, njoftoi Prokuroria.
Çfarë pretendoi mjeku
Mjeku Roland Xhaxho u shpreh se procedura e ndërhyrjes ka qenë sipas protokolleve ndërkombëtare, ndërsa thekson se prinderit kane firmosur per kryerjen e anestezise.
Sa i përket fëmijës, mjeku shton se nga klinika ka dalë i zgjuar në krahët e të atit, ndersa shprehet se 3-vjecari ka pasur infeksione.
“Fëmija kreu në klinikë procedurat dentare nën anestezi të përgjithshme ashtu siç ishim sqaruar me prindërit të cilët kane firmosur edhe konsensusin. Pse u zgjodh kjo mënyrë trajtimi? Sepse djali ka lindur me defekt në zemër për të cilin është operuar rreth 2 vite më parë.
Rekomandimi kryesor në këto raste është evitimi i çdo vatre infeksioni te këta fëmijë sepse shkakton infeksione të dhëmbëve të cilat në mënyrë absolute duheshin kuruar brenda një seance në mënyrë që të evitohej përhapja e infeksioneve. Djali ka dalë nga klinika i zgjuar në krahët e babait të tij”, deklaron doktori.
Sipas mjekut, gjendja është komplikuar kur fëmija ka qenë në shtëpi dhe më pas është dërguar në ambientet e QSUT-së nga prindërit. Xhaxho shprehet se sapo është informuar për këtë, ka kontaktuar me kolegët e QSUT dhe me kërkesë të familjarëve ka qenë duke i asistuar ata.
“Këtë informacion ma bëri të ditur personalisht gjyshi i djalit, i cili erdhi më takoi në klinikë në orën 12:00 të natës.
Gjendja e tij shëndetësore u përmirësua ndjeshëm në 24 orët e para, por më pas fatkeqësisht është rënduar, pavarësisht përpjekjeve të pafundme. Unë nga ana profesionale kam bërë çdo gjë të mundur edhe në QSUT bashkë me kolegët e mi, për të shpëtuar jetën e fëmijës.
Më vjen sinqerisht keq për djalin, më dhemb zemra sidomos për ata prindër që nuk do e kenë më, por nga ana ime profesionale garantoj që ka qenë në maksimum në çdo moment”, shprehet ai.