AKTUALITET, 18 Korrik 2023, 19:32

Unaza e Shkozetit në gjendje të ‘mjerueshme’, mjetet e rënda dëmtojnë asfaltin

Unaza e Shkozetit në gjendje të ‘mjerueshme’, mjetet e

Unaza e Shkozetit në qytetin e Durrësit ndodhet në gjendje të rëndë në një pjese të mirë të saj. Kjo unazë lidh autostradën Tiranë-Durrës me mbikalimin e Plepave dhe është një nga akset më të ngarkuara në vend.

Me një gjatësi prej afro 3 km, në këtë aks rrugor kalojnë të gjitha automjetet që vijnë nga veriu i vendit dhe Tirana me destinacion jugun e vendit. Duke nisur nga mbikalimi i plepave drejt autostradës, në një gjatësi prej rreth 1 km kjo rrugë është gjithë gropa. Asfalti është dëmtuar rëndë, pasi në këtë rruge kalojnë automjete të tonazheve të ndryshme.

Gropat e shumta janë kthyer në një stres të madh për drejtuesit e automjeteve, ndërkohë që dëmet në këto të fundit janë më se të sigurta. Në këtë periudhë të vitit unaza e Shkozetit është mjaft e ngarkuar edhe për shkak të sezonit turistik. Nuk dihet nëse Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka ndonjë plan për riparimin e asfaltit të dëmtuar, i cili veç dëmeve mbi automjetet që kalojnë aty, shkakton edhe trafik të rënduar.