TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Mbretëri e Bashkuar- Kryeministri konservator Rishi Sunak dhe laburisti Keir Starmer, dy rivalët që kandidojnë për postin e kryeministrit, janë përballur në debatin e parë në fushatën elektorale që po zhvillohet për zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të mbahen në 4 korrik.
Debati i transmetuar në ITV, ishte mjaft intensiv dhe veçanërisht i ashpër kur u diskutuar për emigracionin, çka bëri që moderatorja Julie Etchingham të kërkonte nga debatuesit që të "ulnin zërin" dhe të mos u mbivendoseshin njëri tjetrit.
Debati nisi me kryefjalën e problemit të britanikëve, rritjen galopante të kosotos së jetesës, e cila ka shkaktuar pakënaqësi dhe dhimbje në mbarë vendin, me shumë familje në pamundësi për t'ja dalë të paguajnë faturat në fund të muajit.
Kryeministri Sunak pranoi se situata ka qenë e vështirë, por tha se ekonomia po rritet dhe inflacioni ka nisur të ulet, ndërsa premtoi ulje të taksave. Nga ana tjetër, lideri laburist në përpjekje për t'u shfaqur i dhembshur dhe si një person që i kupton vështirësitë, përmendi problemet financiare në familjen e tij gjatë rritjes dhe tha se qeveria kishte humbur kontrollin mbi ekonominë.
Debati vijoi me gjendjen e NHS, shërbimi shëndetësor publik, i cili ndodhet thuajse në kolpas, me lista pritje që arrijnë në 7.5 milionë vetë dhe me greva të vazhdueshme të stafit mjekësor. Starmer tha se ai do të angazhohej me mjekët grevistë për të zgjidhur grevat. Sunak deklaroi se nuk do të ishte e drejtë të rriteshin taksat për të zgjidhur grevat. Kjo ishte një pikë ku kandidatët u përballën ashpër. Sunak pranoi se ai do ta dërgonte një familjar të tij në shërbimin privat, nëse nuk do të siguronte dot një takim në sistemin publik, ndërsa laburisti Starmer ishte kategorik në përgjigjen e tij, se nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë, pasi sipas tij shërbimi shëndetësor publik është zgjidhja e vetme.
Taksat ishin çështja ku cuditërisht liderët "bashkohen" duke premtuar se ato nuk do të rriten, përveç një takse mbi shkollat private që laburistët kërkojnë ta rrisin për të financuar 6500 mësues më shumë në sistemin arsimor publik. Ajo që ka ngjallur pikëpyetje, është se ku do të gjenden paratë për premtimet e kandidatëve. Një çështje që Sunak ngriti vazhdimisht, ishte pretendimi i tij se laburistët do të rrisin taksat dhe kjo do të sjellë një kosto shtesë rreth 2 mijë paund për çdo familje, shifër kjo që Starmer nuk e pranoi, duke deklaruar se taksat do të rriten vetëm për një kategori të vogël të ultra të pasurve.
Një tjetër çështje e rëndësishme është emigrimi, i cili ka arritur nivele mjaft të larta duke u rritur me mbi 650 mijë persona në vit. Beteja u zhvillua për gomonet që kalojnë Kanalin e La Mansh. Vetëm gjatë këtij viti ka patur një rekord prej 10 mijë emigrantëvë që kanë mbërritur me gomone.
Rishi Sunak thotë se politika e tij për deportimin e emigrantëve në Ruanda, do të shërbejë si frenim ndaj emigracionit, megjithatë kjo nismë nuk është testuar dhe vetë kryeministri pranoi se avioni i parë do të mund të ngrihet vetëm pas zgjedhjeve. Ndërkohë, Starmer përdori pikërisht këtë fakt, për të treguar se skema nuk do të funksionojë. Ai tha se kryeministri e di këtë, prandaj i caktoi zgjedhjet përpara se skema të mund të testohet.
Starmer ka premtuar se do ta anullojë skemën e Ruandës, ndërkohë që pranoi se emigracioni është një problem që kërkon zgjidhje. Ai e sheh zgjidhjen tek goditja e grupeve kriminale që mundësojnë kalimet e paligjshme me gomone. Kryeministri u përgjigj se konservatorët kanë miratuar që tani ligje për të goditur grupet kriminale të trafikut.
Një pikë që lidhet me skemën e Ruandës është edhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, e cila mund ta ndalojë atë në gjykatën e Strasburgut. Sunak tha se nëse kjo ndodh, ai është i përgatitur ta nxjerrë MB-në nga Konventa, gjë që Starmer e konsideroi të gabuar dhe u zotua se me laburistët nuk do të ndodhë kurrë.
Gjatë debatit u ngrit edhe premtimi i bujshëm i konservatorëve, se do të dërgojnë të rinjtë për shërbim civil, çka shkatoi disa të qeshura në sallë. Sunak i qëndron premtimit dhe e quan një ide për zhvillimin e shoqërisë, ndërsa rivali i tij e konsideroi një truk për zgjedhjet. Starmer tha se do t'i ndihmojë të rinjtë me premtimin për ndërtimin e 1.5 milionë shtëpive të reja, ndërsa Sunak tha se taksat e ulëta do të bëjnë që ata të kursejnë për të paguar depozitën për blerjen e një shtëpie.
Lidhur me luftimet në Gaza, të dy liderët u shprehën se armëpushimi është i domosdoshëm. Starmer e quajti situatën në Gaza “katastrofale” dhe “të patolerueshme”. Sunak e konsideroi të "tmerrshme", por shtoi se Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes, ndërkohë që premtoi ndihmë humanitare për Gazën.
Në debat u diskutua edhe për ndryshimet klimatike dhe të dy kandidatët pranuan se janë tërhequr nga disa prej zotimeve të tyre, kjo për shkak të kostove të larta financiare.
Kandidatët u pyetën edhe për marrëdhënien potenciale me Donald Trump, tashmë i dënuar nga drejtësia amerikane, nëse ai zgjidhet President. Të dy u përgjigjen se marrëdhënia do të jetë e afërt sepse këtë e dikton posti i Presidentit dhe aleanca mes dy vendeve.
Deklarata përmbyllëse e Keir Starmer, ishte një përpjekje e kujdesshme për optimizëm.
“Unë nuk ju ofroj truke apo premtimet e pambështetura që bën Rishi Sunak. Nuk pretendoj se ekziston një shkop magjik që do të rregullojë gjithçka brenda natës. Në vend të kësaj, ju ofroj një plan praktik dhe të arsyeshëm. Britania mund të bëjë më mirë dhe duhet të bëjë më mirë", tha ai.
Rishi Sunak tha se “një votë për këdo tjetër e bën më të mundshme” që Keir Starmer të bëhet kryeministër. “Pajtohuni apo jo me mua, ju e dini për çfarë qëndroj. Unë gjithmonë do të jem në mbështetjen tuaj, ashtu siç bëra me skemën e subvencionit të pagave,” tha ai.