AKTUALITET, 8 Nëntor 2022, 09:22

U pre me sharrë elektrike/ Detaje si u gjet i pajetë 51-vjeçari shqiptar në Greqi! Policia e Selanikut arreston babë e bir, ja pistat e hetimit

U pre me sharrë elektrike/ Detaje si u gjet i pajetë 51-vjeçari

Emri i një tjetër shqiptari shtohet në listën e qindra shqiptarëve të vrarë dhe të vdekur në rrethana misterioze në Greqi.

I shpallur i zhdukur që prej të martës, ditën e diel është gjetur trupi i pajetë i Ylli Meres, 51-vjeçarit, të cilin policia greke dhe banorët e zonës po e kërkonin. Ai kishte vite që jetonte në atë zonë dhe se kurrë nuk kishte pasur probleme me askënd. Policia e Selanikut ka arritur të vërë në pranga babë e bir, miq dhe bashkëpunëtorë të viktimës, të cilët kanë pasur dijeni mbi viktimën, por nuk e kanë lajmëruar Policinë.

Pas gjetjes së trupit, Policia ka ngritur dyshime të arsyeshme te burri grek që kishte qenë me të ditën e ngjarjes, por ai ka dëshmuar se Ylli (Kosta, siç e njihnin banorët e zonës) ishte plagosur me sharrë elektrike në këmbë e për pasojë ka ndërruar jetë.

Ai ka dëshmuar se e ka telefonuar të birin për të shkuar në vendin e ngjarjes me makinë për ta transportuar për në spital, por më vonë ka rezultuar se i biri jo vetëm nuk e ka transportuar po madje i ka marrë edhe telefonin, duke bërë kështu të pamundur identifikimin e vendit në të cilin ishte braktisur i plagosur shqiptari, baba i tre fëmijëve.

Dyshimet e mëdha janë hedhur ditën e djeshme nga mediat vendase, të cilat analizojnë përpikmërisht gjithçka ka ndodhur sipas Policisë dhe banorëve të zonës, të cilët dyshojnë se mes dy burrave edhe mund të ketë pasur ndonjë konflikt që lidhet me çështjen e pagesës, pasi shqiptari priste dru, ndërsa greku i shiste ato.

Megjithatë, tashmë ata janë para prokurorisë lokale të Selanikut, e cila ka bërë me dije se i ka arrestuar babë e bir, përkatësisht 59 dhe 28 vjeç për shkak se iu kanë gjetur në makinë pesë thika të mëdha.

Sipas të dhënave të Policisë greke, Ylli Mera është gjetur i pajetë nga autoritetet greke, 5 ditë pas zhdukjes pa gjurmë.

51-vjeçari ishte në kërkim prej 1 nëntorit, pasi ishte zhdukur gjatë kohës që ka ikur për të punuar në zonën e Arethousa të Selanikut. Trupi i tij u gjet në një zonë pyjore të Arethousas, ku kishte shkuar me kolegun e tij grek për prerjen e druve. Sipas informacioneve, Ylli Mera u plagos për vdekje me sharrë elektrike, ndërsa 59- vjeçari menjëherë pas ngjarjes është larguar. Mediat e huaja shkruajnë se greku e ka lënë të plagosur me gjakderdhje 51-vjeçarin dhe është larguar nga vendi i ngjarjes me ndihmën e të birit. Pasditen e së dielës u zbulua se e kishte lënë të mbuluar me gjak kolegun, por rrëfeu se ishte një aksident.

Mësohet se qytetari grek i ka hedhur në rrugë edhe celularin shqiptarit për të shmangur zbulimin. 59-vjeçari dhe djali i tij janë arrestuar dhe po punohet për dosjen përkatëse.

Siç rezultoi nga hetimi i Policisë, më datë 01.11.2022, 51-vjeçari ishte zhvendosur në veri në malet Kerdylia, për t’u punuar përkohësisht në prerjet e paligjshme të pyjeve.

Nuk dihet ende saktësisht se si ka ndodhur ngjarja, ndërsa mediat greke shkruajnë se po hetohet për zbardhjen e plotë të rrethanave. Në kontrollet që janë kryer në shtëpinë e 59-vjeçarit dhe në makinën e djalit të tij 28-vjeçar, janë gjetur gjithsej pesë 5 thika.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë ka folur edhe vëlla i viktimës i cili mësohet se u ka thënë mediave greke:

“Vëllanë e gjetëm të vdekur në mal. Kishte shkuar atje me një grek, ndoshta për të prerë dru. Ende nuk e dimë se çfarë ndodhi, por dëgjuam që i ishte prerë këmba, aty gjetëm një sharrë elektrike me motor”. Vëllai i tij ishte njeriu që u shqetësua kur 51- vjeçari u largua për të prerë dru në mal dhe nuk dha shenja jete për tre ditë të tëra, duke u deklaruar zyrtarisht i zhdukur në Polici më 4 nëntor.