AKTUALITET, 7 Nëntor 2022, 21:31

Mos je futur në garë ku fituesin e ka caktuar Berisha? Si përgjigjet Ilir Alimehmeti

Mos je futur në garë ku fituesin e ka caktuar Berisha? Si

Ilir Alimehmeti, kandidat për primaret e PD në Tiranë, ka qenë i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku ka folur për garën. 

Alimehmeti u pyet nga gazetari Rakipi lidhur me garën dhe nëse beson se ajo është reale, veçanërisht për faktin se nga lidershipi i PD duket se ka një kandidat të preferuar. 

Si shembull Rakipi përmendi faktin se Berisha doli në një takim te Unaza e Re me Belind Këlliçin edhe pse ky i fundit gjendet në një garë. 

Alimehmeti tha se beson te gara dhe se ndryshe nuk do të ishte futur. 

Ilir Alimehmeti: Po ta kisha menduar që mund të jetë farsë nuk do të futesha. Besoj se është një garë reale. Bëhet për herë të parë në Shqipëri dhe Ballkan. Pres që gara të jetë e pastër, transparente, e rregullt. Mendoj se do të jetë garë e rregullt.

Ylli Rakipi: Po i mëshohet idesë që duhet kandidat politik. Duket se ka një preferencë të lidershipit për Belind Këlliçin. Berisha ishte me Këlliçin në Unazën e Re. Këtu ka një garë, përse del me Berishën deputeti? Indirekt po thotë të zgjidhet ky person. Nuk ju duket që Berisha ka këtë pozicion?

Ilir Alimehmeti: Ka qenë shumë i qartë zoti Berisha. Ai adresoi votuesit në një video dhe thotë që kandidatët duhet të jenë pesona nga brenda ose jashtë partisë, që kanë aftësi të fitojnë zgjedhjet. E keni të qartë me zë dhe figurë. Ju mund të merrni rrethanat dhe ti merrni bashkë. Zyrtarisht fushata nuk është hapur. Jemi në momentin e kandidaturës. Duke qenë përfaqësues i zonës, besoj se zoti Këllici ka qenë për këtë arsye. Me kaq e mbyll si bisedë. Ne kemi një parim tjetër, që është pika kyçe, njerëzit duhet të mendojnë, mes shtatë ofertave.