AKTUALITET, 1 Nëntor 2025, 22:28

U gjet i vrarë në fshatin Gjorm, policia shpall në kërkim kushëririn e 36-vjeçarit: U largua drejt zonës malore (EMRI)

U gjet i vrarë në fshatin Gjorm, policia shpall në kërkim

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e sotme fshatin Gjorm të bashkisë Selenicë, ku është gjetur i pajetë 36-vjeçari Dalan Alliaj.

Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 20:25, trupi i tij është zbuluar nga familjarët, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë dhe ambulancën. Megjithëse 36-vjeçari u transportua me urgjencë në spitalin e Vlorës, mjekët konfirmuan se ai kishte humbur jetën.

Policia ka shpallur në kërkim Bertil Alliaj, djalin e xhaxhait të viktimës, i cili dyshohet si autor i vrasjes. Sipas burimeve, Bertil Alliaj është një nga autorët e masakrës së Çoles në vitin 2015, ku u vranë Akil Hasanaj, Ardi Velaj dhe Albi Limaj.

Pas ngjarjes së sotme, ai dyshohet se është larguar drejt zonës malore përreth fshatit dhe po fshihet.

Hetimet dhe personat e shoqëruar
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e rendit, njësitë FNSH dhe ekspertë të kriminalistikës, të cilët kanë kryer këqyrjen e plotë të zonës. Deri më tani janë shoqëruar pesë persona, mes tyre:

djali tjetër i xhaxhait të viktimës, që ndodhej me të në momentin e ngjarjes, kryeplaku i fshatit,
dhe tre banorë të tjerë që mund të kenë dijeni për krimin.

Deklarata zyrtare e Policisë
“Nga veprimet e para hetimore është bërë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit B. A., i cili dyshohet se në fshatin Gjorm ka vrarë me armë zjarri kushëririn e tij, shtetasin D. A..
Pas kryerjes së krimit, autori i dyshuar është larguar drejt zonës malore përreth, ku dyshohet se fshihet.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë po vijojnë punën intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes.”