AKTUALITET, 1 Nëntor 2025, 21:03

Nesër Ditë Zie për Fatos Nanon/ Nga homazhet e personaliteteve shtetërore dhe Trupit Diplomatik te përcjellja në banesën e fundit në një ceremoni private familjare, zbardhet protokolli

Nesër Ditë Zie për Fatos Nanon/ Nga homazhet e personaliteteve

Bëhet publik protokolli që do ndiqet nesër me rastin e përcjelljes për në banesën e fundit të ish-kryeministrit Fatos Nano, që ndërroi jetë ditën e premte më 31 tetor në moshën 73-vjeçare.

Deri tani është mësuar se kryeministri Edi Rama do të mbajë një fjali, ndërkohë që sipas programit shtetëror janë përcaktuar dhe oraret për secilën pjesë të ceremonisë deri te përcjellja në banesën e fundit rreth mesditës.

Përcjellja në banesën e fundit do të jetë private familjare. 

PROTOKOLLI

Në nderim të ish-Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Fatos Nano, udhëheqës dhe politikan i shquar, do të zhvillohet ceremonia funebre shtetërore ditën e diel, më 2 nëntor 2025, në Pallatin e Kongreseve, Tiranë.

Programi i ceremonisë:

08:30 – Fillimi i homazheve publike;
11:00 – Përfundimi i homazheve publike
11:15 – Homazhet e personaliteteve shtetërore dhe të Trupit Diplomatik;
12:00 – Ceremonia funebre e Lamtumirës, në prani të autoriteteve të larta shtetërore dhe përfaqësuesve të Trupit Diplomatik.

Pas përfundimit të ceremonisë shtetërore, kortezhi funebër do të përcjellë trupin e të ndjerit për në banesën e fundit, në një ceremoni private familjare.

Sinjali televiziv i të gjithë ceremonisë do të mundësohet nga regjia qendrore dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në platformat zyrtare në Facebook dhe YouTube.

Fotografët do të kenë pozicionin e tyre të dedikuara në një kënd të posaçëm të Hollit të Pallatit të Kongreseve.