AKTUALITET, 23 Korrik 2025, 13:18

U dhunua nga pronari i lokalit “Stockholm”, reagon sipërmarrësi Laert Kasaj: Erdhën poshtë zyrës sime të pajisur me mjete të forta

U dhunua nga pronari i lokalit “Stockholm”, reagon

Sipërmarrësi Laert Kasaj ka reaguar pas një ngjarjeje të rëndë të ndodhur para dy ditësh  tek kompleksi “Delijorgji” në Tiranë, ku ai është bërë, sipas tij, objekt i një sulmi fizik të paramenduar dhe të organizuar.

Në një deklaratë publike, Kasaj ka dhënë versionin e tij të plotë mbi rrethanat e ngjarjes dhe ka hedhur poshtë akuzat e bëra ndaj tij.

“Para dy ditësh jam bërë objekt i një sulmi të dhunshëm, të paramenduar dhe të organizuar, nga persona konkretë që kanë ardhur poshtë zyrës sime të pajisur me mjete të forta. Pavarësisht se ishte një ngjarje e paprovokuar, në vend që të dënohej dhuna, janë bërë përpjekje për ta justifikuar atë”, deklaroi Kasaj.

Sipas tij, shkaku i sulmit ka qenë një postim i shpërndarë nga një portal online, ku përmendej edhe një lokal në pronësinë e autorëve të sulmit. Edhe pse emri i biznesit të tij përmendej në mënyrë më të dukshme, kjo nuk ka qenë arsye për të reaguar ndaj askujt, thotë Kasaj.

"Në këto ditë të vështira për mua dhe familjen time, ndjej nevojën të ndaj disa fjalë me publikun. Para dy ditësh jam bërë objekt i një sulmi të dhunshëm, të paramenduar dhe të organizuar, nga persona konkretë që kanë ardhur poshtë zyrës sime të pajisur me mjete të forta. Pavarësisht se ishte një ngjarje e paprovokuar, në vend që të dënohej dhuna, janë bërë përpjekje për ta justifikuar atë, madje duke më akuzuar se e kam nxitur vetë. Shkak për gjithë këtë, sipas vetë autorëve, është bërë një postim i shpërndarë nga një portal online, në të cilin përmendet lokali i tyre ndër të tjerë.

Ironikisht, në atë postim, lokali në pronësinë time është ai që shihet në disa foto, ndërsa të tjerët, përfshirë lokalin e autorëve, pasqyrohen më pak. Megjithatë, kjo u mjaftoi për të më vënë në shënjestër. Për më tepër, janë shpërndarë lajme të rreme se unë paskam bërë denoncime te Kryeministri kundër autorëve. Ky është një pretendim absurd, pasi unë nuk kam asnjë kontakt me Kryeministrin dhe, pas rreth 20 vitesh në biznes, nuk kam nevojë të merrem me punët e të tjerëve, aq më pak me persona që as nuk janë konkurrentët e mi. Zotëroj 12 kompani që janë ndër më të suksesshmet në Shqipëri në fushat e tyre.

Këto biznese punësojnë rreth 250 punonjës, të cilët çdo ditë japin më të mirën e tyre me përkushtim dhe profesionalizëm. Ata nuk kanë pse të përballen me pasiguri apo frikë, për shkak të një fushate të padrejtë që nuk ka të bëjë me punën tonë. Në këtë klimë të rënduar, më shqetëson edhe se si disa portale online publikojnë çdo gjë që u sjell klikime, pa verifikuar burimet, pa u interesuar për të vërtetën, pa menduar për pasojat që sjellin mbi njerëzit. Kjo është një sjellje e rrezikshme, që ushqen dhunë, urrejtje dhe ndjenjë padrejtësie. Në përfundim, kam vendosur të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur dinjitetin tim, të vërtetën dhe të drejtën time për të mos u përballur me dhunë dhe shpifje"- u shpreh ai.

Sipas burimeve, pronari i restorantit “Tokyo”, Laert Kasaj është dhunuar nga biznesmeni Ferhat Kaja, si edhe një person tjetër i afërm i tij, Oltian Kaja, të cilët janë shpallur në kërkim nga policia.

Autorët mësohet se janë pronarë të lokalit “Stockholm”, që ndodhet përballë kompleksit “Delijorgji” ku ndodhi ngjarja dhe ku ndodhet restoranti i Laert Kasajt.

Sipas dëshmitarëve, në momentin e sulmit një nga agresorët i është drejtuar Laert Kasajt me fjalët: “Pse më ke denoncuar?”. Mesohet se shkak i sherrit ka qene aksioni i lirimit te hapsirave publike, ku Policia Bashkiake dhe Inspektoriati i Mbrojtjes se Territorit, hoqi tendat e lokaleve dhe strukturat metalike te vendosur prej bizneseve.

Dyshohet se shkak per sherrin ka qene denoncimi i Laert Kasajt ndaj biznesit te Ferhat Kajat, pikerisht per zaptimin e hapësirës publike.

Per kete ngjarje Policia ka reaguar me nje njoftim te shkurter vetem pas 2 ditesh kur çeshtja eshte bere mediatike, teksa e cileson ngjarjen si te ndodhur per motive te dobeta.

“Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 2: Shpallën në kërkim shtetasin Ferhat Kaja, 31 vjeç dhe Oltian Kaja, 30 vjeç, pasi me datë 21.07.2025, rreth orës 22:30, në Rrugën e Kavajës, tek kompleksi “Delijorgji” dyshohet për motive të dobëta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me grushte dyshohet dhe me sende të forta shtetasit E. K dhe Laert Kasaj, të cilët pas marrjes së asistencës mjekësore u larguan për në banesë. Punohet për kapjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të rastit”, njoftoi policia.