TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministri i ri i Jashtëm, Ferit Hoxha thotë se do të vazhdojë të punojë për një Shqipëri më të respektuar dhe të suksesshme në arenën globale.
Në reagimin e tij të parë publik, pas betimit para presidentit Bajram Begaj, ministri i ri përmend faktin se ka pasur nderin që të përfaqësojë Shqipërinë si ambasador në organizata dhe vende të rëndësishme. Emërimin në krye të ministrisë së Jashtme e cilësoi si një nder të madh, ndërsa shprehu falënderime për kryeministrin për besimin që i ka dhënë.
Më tej, Hoxha shton se devotshmërinë që ka pasur gjatë karrierës së tij do ta vijojë në krye të ministrisë, për ta bërë Shqipërinë siç thekson ai, më të respektuar dhe të suksesshëm në hapësirën euroatlantike dhe globale.
“Se së bashku me kolegët e mi në Shërbimin e Jashtëm dhe me të gjitha institucionet e përfshira në hartimin dhe zbatimin e politikës së jashtme, do të vazhdojmë të punojmë për të përmbushur me dinjitet misionin tonë në shërbim të Republikës së Shqipërisë, duke jetësuar përparësitë e programit të qeverisë në politikën e jashtme, në zemër të të cilit qëndron pakthyeshëm procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, shkruan ai.
Për dikë që ka shërbyer me devotshmëri për më shumë se tre dekada e gjysmë si nëpunës publik dhe si anëtar i Shërbimit të Jashtëm, nuk ka nder më të madh sesa ngjitja në përgjegjësinë e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, në një moment kaq të rëndësishëm për vendin tonë.
Dua të falënderoj Kryeministrin Rama dhe Presidentin Begaj për besimin që më kanë dhënë, një privilegj të madh por edhe detyrim i lartë ndaj shtetit dhe qytetarëve të Shqipërisë.
Gjatë gjithë karrierës sime kam pasur nderin ta përfaqësoj flamurin kuq e zi në organizata ndërkombëtare dhe kryeqytete të rëndësishme, me bindjen e palëkundur se shërbimi ndaj vendit është detyra më e lartë e një nëpunësi publik. Kjo përvojë më ka dhënë mundësinë të shoh nga afër se sa shumë është rritur pesha dhe besueshmëria e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, dhe se zëri ynë dëgjohet sot me më shumë respekt dhe vëmendje.
Se së bashku me kolegët e mi në Shërbimin e Jashtëm dhe me të gjitha institucionet e përfshira në hartimin dhe zbatimin e politikës së jashtme, do të vazhdojmë të punojmë për të përmbushur me dinjitet misionin tonë në shërbim të Republikës së Shqipërisë, duke jetësuar përparësitë e programit të qeverisë në politikën e jashtme, në zemër të të cilit qëndron pakthyeshëm procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Me përkushtim, përgjegjësi dhe besim në potencialin e vendit tonë, të udhëhequr nga parimi themelor – interesi ynë kombëtar – do të punojmë që Shqipëria të jetë gjithnjë e më e respektuar, më e dëgjuar dhe më e suksesshme, në hapësirën euroatlantike dhe arenën globale.