AKTUALITET, 3 Prill 2023, 15:22

Transport publik falas? Godole komenton deklaratën e Këlliçit: Të djathtët s’bëjnë premtime populiste dhe nuk votojnë një logo të majtë

Transport publik falas? Godole komenton deklaratën e Këlliçit:

Pedagogia e njohur Jonila Godole teksa komentoi zhvillimet politike në vend, u ndal dhe te një nga premtimet që ka sjellë komente, siç është dhe ai i Belind Këlliçit, kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, për transport publik falas.

“Tirana ka problematika që ne si qytetarë të Tiranës i njohim mirë. Trafiku, transporti, dhe ndotja e mjedisit janë ndër probleme më kryesore. Kryetari aktual nuk ka folur më për trafikun në Tiranë, dhe kam dëgjuar se janë shprehur se kështu është edhe në vende të tjera. Por nuk është e vërtetë. Ka disa nyje ku mund të rrish edhe 30 minuta duke pritur në trafik. Ndërkohë Këlliçi foli për transport falas, dhe këtu vijmë edhe njëherë tek tema ku është e djathta? Theksoj që e djathta nuk abuzon me populizëm.”, tha Godole për News24.

Mes të tjerash ajo tha se do të mbështeste Roland Bejkon, kandidatin e Alibeajt.

“Patjetër që po. Ai ka një fushatë të vështirë duke pasur parasysh edhe situatën. Nuk duket se do ta ketë të lehtë edhe për shkak të krizës në opozitë, por besoj që Roland Bejko ka kredibilitet të lartë. Me guximin e tij dhe mënyrën se si u qaset gjërave, besoj që do t’ja dalë.”, tha ajo.

Gjithashtu gjatë bisedës në studio Godole theksoi se kauzën e djathtë e sheh të përfaqësuar në PD, ndërsa bëri thirrje që demokratët të mbështesin partinë e tyre.