AKTUALITET, 29 Tetor 2025, 13:52

‘Toyota Yaris’/ Ish-kryeprokurori Aurel Zarka kërkon pafajësinë në Apelin e Posaçëm: S'kam përdorur SkyECC

‘Toyota Yaris’/ Ish-kryeprokurori Aurel Zarka kërkon

Ish-kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka kërkoi pafajësi në seancën e zhvilluar këtë të mërkurë në Apelin e Posaçëm.

Mbrojtësi i tij ligjor, Julian Mërtiri mbajti të njëjtin qëndrim duke thënë se klienti i tij nuk ka qenë përdorues i aplikacionit Sky Ecc dhe se Zarka punonte në Vlorë dhe nuk mund të ndikonte në një çështje që ishte në Tiranë.

Mërtiri u shpreh se përfshirja e Zarkas në këtë çështje ishte artificiale pasi të gjitha bisedat janë bërë nga të tjerët dhe nuk kishte përse ai të përfshihej në këtë marrëdhënie.

Zarka ka ankimuar vendimin e dhënë nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion që e dënoi atë me 4 vite burg për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në çështjen “Toyota Yaris”, dënim që u reduktua në 2 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Apeli i Posaçëm dëgjoi pretendimet e mbrojtësit të Zarkës dhe u tërhoq për të shpallur vendimin në datë 12 nëntor.

Vendimi për dënim në shkallë të parë u dha nga treshja e gjyqtarëve Erjon Çela, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj, teksa Zarka u hetua nga prokurori Klodian Braho.