TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Këshilli i Legjislacionit ka rrëzuar ditën e sotme kërkesën e Opozitës për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi. Bëhet me dije se gjatë mbledhjes së sotme, Këshilli ka vendosur se sipas raportit, Peleshi nuk ka kryer asnjë shkelje. Ndërkohë që theksohet se është e kundërta, ka respektuar Kushtetutën e vendit dhe Rregulloren e Kuvendit
“Sipas raportit të dakordësuar nga shumica, kërkesa e depozitar nuk plotëson kushtin substancial. Pasi jo vetëm nuk ka shkelje kushtetuese, por nuk provohet asnjë shkelje edhe të Rregullores së Kuvendit”, thuhet në vendim.
Nesër në seancë plenare do të votohen 2 raportet e opozitës dhe mazhorancës për çështjen e shkarkimit të kreut të Kuvendit Niko Peleshit. Media ka siguruar raportin final të opozitës që do të paraqitet për votim, ku parashtron të gjitha argumentet pse sipas tyre ligjvënësit duhet të votojnë pro shkarkimit të Peleshit.
PD i ka përqendruar argumentet e saj në seancat plenare të 16 dhe 18 shtatorit, ku akuzon Peleshin për qëndrime të njëanshme në favor të maxhorancës, prej të cilave inicioi edhe nismën për shkarkim.
Janë 5 shkelje që evidenton PD të Peleshit, në dy seanca: atë ku u njoftua Ndryshimi i rregullores që çoi në shtimin e komisioneve të përhershme parlamentare dhe mos-realizimi i debatit parlamentar për programin qeverisës 'Rama 4'.
“Kryetari i Kuvendit ka njoftuar se për projektvendimin për disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit nuk do të ketë diskutime, çka është kontestuar nga deputetët e opozitës si shkelje e nenit 75, pika 2, e Kushtetutës, e lexuar së bashku me nenet 46, pika 1, 48, pika 1, dhe 117 të Rregullores së Kuvendit, pasi i mohohet e drejta e fjalës deputetëve që dëshirojnë të diskutojnë rreth ndryshimeve të propozuara. Edhe ky qëndrim është injoruar nga kryetari i Kuvendit, i cili ka vijuar me votimin dhe miratimin e projektvendimit për disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit.”, thotë raporti i ligjvënësve demokratë, sipas të cilit Peleshi jo vetëm ka shkelur rregulloren, por edhe Kushtetutën.
Më pas, duke u ndalur në seancën e datës 18 shtator, kur kaloi programi qeverisës, e vetmja seancë ku kryeministri Edi Rama ishte prezent.
"Fakti që Kryeministrin e kanë lëshuar nervat, është i lodhur dhe ndjehet i padenjë për të përballuar debatin parlamentar, nuk mund të nënkuptojë kurrë që ai mund t’i caktojë linjën e sjelljes deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, apo mund të vijë në seancë plenare dhe të sillet siç dëshiron në kundërshtim me Kushtetutën. Salla e seancës plenare nuk mund të shndërrohet nga një Kryeministër karagjoz në një “teatër kukullash” dhe reagimi i opozitës ishte për mbrojtjen e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Kërcënimi i Kryeministrit që në nisje të fjalës së tij se deputetët e opozitës duhet të bëjnë apo sillen ashtu siç ai dëshiron, ose ndryshe Kryeministri nuk do të lejojë debatin parlamentar, është i papranueshëm dhe cënon rëndë rendin kushtetutes të një Republike Parlamentare.”, thuhet në raport.
“Kryetari i Kuvendit, me veprimet dhe mosveprimet e tij, në këtë periudhë të shkurtër të drejtimit të Kuvendit të Shqipërisë, ka dëshmuar mungesë të plotë të angazhimit për të ushtruar funksionin në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendi, si dhe duke u sjell si një vartës i Kryeministrit, i cili mori defacto edhe drejtimin e seancës së datës 18.09.2025, herë duke urdhëruar kush do fliste, herë duke urdhëruar kush deputet do të fliste për procedurë dhe herë duke urdhëuar Kryetarin e Kuvendit për procedurën që duhet të ndiqte”, akuzon PD Peleshin.
Duke nisur nga numri që ka në parlament, raporti i tyre pritet të rrëzohet, përballë shumicës socialiste, që nuk gjen shkelje te Peleshi, pasi sipas saj “kryetari i Kuvendit” duhet të gjejë cdo mekanizëm për të mundësuar votimin.