AKTUALITET, 13 Prill 2022, 10:10

Tenderi 25 milionë euro i uniformave të Policisë, hidhet shorti, ja kush është gjyqtarja që do të shqyrtojë dosjen

Tenderi 25 milionë euro i uniformave të Policisë, hidhet shorti,

Nëntë të dënuarit për tenderin e uniformave të policisë, kanë apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Çështja është regjistruar tashmë në Gjykatën e Apelit të Posaçëm. Seanca e parë pritet të zhvillohet më 21 prill dhe sipas të dhënave dosja do të shqyrtohet nga gjyqtarja Ingerta Hysi.

Mësohet se vendimi është apeluar vetëm nga të pandehurit, ndërsa SPAK-u nuk ka bërë apelim për vendimin e 30 dhjetorit të vitit të kaluar. Kujtojmë se ditën e parafundit të vitit 2021 Gjykata kundër korrupsionit i dënoi me 1 vit burg dhe 5 vjet heqje e të drejtës për ushtruar funksione publike.

Për këtë çështje u dënua drejtoresha e Ministrisë së Brendshme, Edlira Naqellari, dhe shtetasit, Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Anisa Bogdani, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Kreshnik Bejka, Gëzim Mingaj dhe Aurora Mulla. Të pandehurit për këtë çështje u gjykuan me gjykim të shkurtuar, duke përfituar edhe ulje me 1/3 të dënimit.

Zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme u arrestuan vitin e kaluar pas një operacioni të udhëhequr nga SPAK lidhur me abuzimet për tenderin e uniformave të policisë në vitin 2020, vlera e të cilit arrin në 25 milionë euro.

Sipas SPAK, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me drejtoreshën e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari kanë shkelur rregullat e prokurimit publik, barazinë në tenderë dhe kanë shkaktuar dëm ekonomik ndaj shtetit.

Hetimet nisën pas kallëzimit të depozituar në SPAK nga deputetët e opozitës parlamentare rreth një viti më parë, duke ngritur pretendime se punonjësit e Agjencisë së Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme krijuan kushtet për të paracaktuar fituesin e tenderit me vlerë 25 milionë euro.