AKTUALITET, 27 Prill 2023, 19:27

“Të gjithë e dinë se ç’do të thotë të të qeverisë Kipja”, Noka: Kandidati i Alibeajt në Kamzë, i marrë peng nga mercenarët e Ramës

“Të gjithë e dinë se ç’do të thotë

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka nga Kamza deklaroi se kandidati i Alibeajt për këtë bashki, Bilbil Bajraktarit, është i marrë peng nga mercenarët e Ramës.

Gjatë një takimi elektoral me mbështetës demokratë në Kamzë, Noka tha se qytetarët shqiptarë nuk janë bagëti që të mashtrohen nga këngët tallava të kryeministrit Rama.

“Këtu kemi bërë një takim në 2021 kur unë isha kandidat për deputet. Sot ky shesh është 5 herë më i mbushur se atëherë. Sot shoh shpresë te fitorja më shumë se kurrë ndonjëherë. Sot jeni më të ndërgjegjësuar se kurrë se ndryshimi është domosdoshmëri. Se vota për kandidatin Arjan Hoxha është votë për fëmijët tuaj, votë për të ardhmen. Sot jam besimplotë në fitoren e Arjan Hoxhës.

Çdonjëri prej jush ka vuajtur më shumë se kushdo qeverisjen e Rilindjes. Të gjithë e dinë se ç’do të thotë të të qeverisë Kipja. Një njeri që veç parasë nuk njeh asgjë tjetër. Një njeri që ju fal bashkia. Ju keni sot një motiv për t’i dhënë vrull ndryshimit në Kamëz. Ju e ndieni se Sali Berisha është njeriu që ju mundësoi të jeni këta që jeni, këtu ku jeni dhe në rrugën e zhvillimit dhe integrimit.

Askush më shumë se ju nuk ka detyrë t’i kthejë votën Sali Berishës. Vota për koalicionin “Bashkë Fitojmë” është votë për Berishën. Kamza nuk e njeh tallavanë. Këtu në Valias ka halle e varfëri, këtu nuk ka bagëti që t’i mashtrosh me tallava. Ti mund t’i quash gomerë e çfarë të duash, por ne kemi qytetarë. Ne kemi Arjanin që ka luftuar kundër korrupsionit. Kam një mesazh edhe për Bilbilin. Bilbil, unë e di që të kanë marrë peng. Mercenarët që të kanë marrë peng i shërbejnë Edi Ramës. Vota juaj duhet të jetë e gjitha votë për Arjan Hoxhën”, u shpreh ai.