AKTUALITET, 27 Prill 2023, 19:13

Vrasja e biznesmenit në Shëngjin, nga mbledhja e filtrave të cigareve, çamçakëzi dhe doreza, si u zbulua ekzekutori portugez

Vrasja e biznesmenit në Shëngjin, nga mbledhja e filtrave të

Policia ka siguruar shumë prova që ndihmuan në identifikimin e skuadrës kriminal të përbërë nga 6 persona, që ekzekutoi biznesmenin Ardian Nikulaj. Përveç dhjetëra orë pamjesh filmike, hetuesit kanë edhe prova shkencore. Ata kanë gjetur në bagazhin e makinës së përdorur nga Edmond Haxhia, që dyshohet se ka qenë urdhëruesi i vrasjes, qese, fatura tatimore, rroba, veshje si ato të grave myslimane, tip hixhab, doreza e shishe ujë.

Kontrolli i policisë ka vijuar në banesën e Edmond Haxhisë në fshatin Kakarriq. Mësohet se në magazinën e Haxhisë, ekspertët kanë gjetur qese plastmasi, fatura të një marketi në Shkodër, një çamçakëz i konsumuar, një shishe ujë dhe një facoletë e përdorur.

Ma pas është ushtruar kontroll në dhomën 302 të hotel “Besa” ku qëndroi shtetasi britanik Harry Simpson, ku u gjetën disa bishta cigaresh, nga të cilat u përftua profil genetik.

Ato u krahasuan dhe rezultuan të njëjta me gjurmët e marra nga dorezat e gjetura në bagazhin e mjetit të marrë me qira nga Edmond Haxhia duke provuar shkencërisht lidhjen e Harry Simpson në këtë ngjarje. Sipas policisë, ai rezulton i proceduar 27 herë në Angli për posedim droge, dhunë dhe vjedhje.

Përpos kamerave të sigurisë, prova kryesore që ka policia për atentatorin Ruben Saraiva, janë gjurmët e gjetura në një veshje hixhab të gjetur në bagazhin e makinës “Wolsvagen golf5”.

Nga ato u prodhua një profil gjenetik, i cili më pas rezultoi i njëjtë me atë të përftuar nga një çamçakëzi i gjetur ngjitur në traun e magazinës së shtëpisë së Edmond Haxhisë. Mjeti të cilin ka përdorur Edmond Haxhia ishte marrë me qira në 26 Mars dhe është kthyer nga një shoku i tij në 21 Prill. Para se të dërgohej tek pronari makina është larë, por fatmirësisht nuk ishin prekur sendet e gjetura në bagazh.

Sakaq shërbimet e policisë së Lezhës dhe Forcat Operacionale të Policisë së Shtetit, në afërsi të banesë së Edmond Haxhisë kanë gjetur motorin Gillera M365 të përdorur nga ekzekutori portugez. Motori u gjet në lumë në fshatin Kakarriq. Grupi hetimor është duke kryer hetime në Shkodër për të gjetur banesën ku ka qëndruar nga 15 shkurti deri ditën e vrasjes 27-vjeçari portugez, i cili ishte dhe vrasësi i Nikulajt.