AKTUALITET, 27 Prill 2023, 16:36

“Mbështesim vendosmërinë e Këlliçit për t’i shpallur luftë korrupsionit”, Partia e Lirisë akuza Veliajt: Po jep tendera për mbështetësit e tij kryesorë

“Mbështesim vendosmërinë e Këlliçit për

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, dhe njëherazi kandidat për këshillin e ri bashkiak të Tiranës, lëshoi akuza në drejtim të kryetarit të bashkisë Erion Veliaj, se jep tendera për mbështetësit e tij kryesorë.

Në një deklaratë për mediat, Blushi theksoi se, “Partia e Lirisë mbështet plotësisht vendosmërinë e palëkundur të kryetarit të ardhshëm të bashkisë të Tiranës, Belind Këlliçi për t’i shpallur luftë pa kompromis korrupsionit në këtë institucion të kalbur nga nepotizmi dhe vjedhja e taksave të qytetarëve të ndershëm, sidomos nëpërmjet aferës së zezë të inceneratorit të Tiranës, që nuk ekziston, por që çdo ditë gllabëron të paktën 100 mijë euro”.

“Rasti flagrant i kryetarit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Maringlen Qatos, krahut të djathtë të Erion Veliaj, e bën ulëritëse nevojën për pastrimin njëherë e përgjithmonë të Bashkisë së Tiranës nga abuzuesit, vendi i të cilëve duhet të ishte dhe do të jetë pas 14 Majit para drejtësisë. Fenomeni “Qato”, që nuk është një rast i izoluar, por praktikë e zakonshme korruptive në bashkinë e Tiranës të drejtuar nga Erion Veliaj, dëshmoi botërisht makutërinë e sektit të 99-çave që nuk njeh limite kur vjen çështja tek vjedhja e taksave të qytetarëve. Këta drejtues të administratës publike, nga shërbëtorë të popullit që duhet të ishin, u kthyen në biznesmenë të mëdhenj të ndërtimit dhe të betonizimit të Tiranës”, tha ai.

Po ashtu, duke u ndalur konkretisht, Blushi shtoi se, “Mariglen Qato, ka qenë drejtor i Ujësjellësit të Tiranës në vitet 2016-2018, periudhë gjatë dhe pas së cilës ai ka shfrytëzuar për të punësuar të gjithë të afërmit e tij në Bashkinë e Tiranës”.

“Në vitin 2016 e në vijim, krahu i djathtë i Erion Veliaj, me tre kompanitë e tij, fillimisht të emërtuar, “Igor Elektrik”, “VAS Konstruksion” dhe më tej si “5 D Konstruksion”, rezulton të ketë përfituar 29 tendera me vlerë totale rreth 25 milion euro.Maringlen Qato nuk është mjaftuar vetëm me kaq, sepse rezulton se Erion Veliaj e ka shpërblyer dhe me leje ndërtimi.Kjo është një nga lejet që ka marrë Mariglen Qato në datë 2 shkurt 2021. Kalojmë tek leja e radhës e miratuar në 5 prill 2022 për ndërtimin e kësaj godine banimi dhe shërbimi në qytetin e Tiranës. Kalojmë te leja e radhës, në datë 8 nëntor 2022, po për  kompaninë e Qatos “5D”.Për t’u ndalur më pas tek ky hotel me vlerën 15 milionë euro, me sipërmarrës “Mediterrinan Investment Group” dhe subjekt ndërtues 5 drejtorët e Bashkisë, “5D” të cilat ky individ së bashku me Redi Mollën dhe Elvin Tivarin, dy bashkëpunëtorët e tij të ngushtë dikur në UKT dhe tashmë punonjës të “Tirana DC” dhe të lidhur me Bashkinë e Tiranës. Pra këta zotërinjtë sot ndërtojnë hotele në vlerën 15 milionë euro, sepse funksionet publike që kanë ushtruar në Bashkinë e Tiranës, nuk i kanë përdorur për gjë tjetër veçse për të ndarë si “plaçkë” mes njëri-tjetrit, taksat e qytetarëve të ndershëm”, sqaroi Blushi.