TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka publikuar në rrjetet sociale një video nga Asambleja Politike e Partisë Popullore Europiane në Vjenë, ku ishte e pranishme së bashku me kryetarin e PD-së, Sali Berisha.
Tabaku bëri të ditur se gjatë dy ditëve intensive të diskutimeve, në qendër të debatit ishin zgjerimi i Bashkimit Europian, procesi i integrimit, siguria dhe mbrojtja e rendit demokratik në Europë.
Sipas saj, mesazhi kryesor i diskutimeve ishte se Europa ka nevojë për më shumë zgjerim, por njëkohësisht edhe për më shumë demokraci, institucione funksionale, barazi para ligjit dhe luftë reale kundër korrupsionit.
“Procesi i zgjerimit është tashmë një nevojë gjeostrategjike, por kjo nuk duhet të na bëjë të mbyllim sytë përballë shkeljes së ligjit dhe mungesës së standardeve”, u shpreh Tabaku.
Deputetja demokrate theksoi se në qendër të procesit të integrimit duhet të jenë qytetarët dhe përfitimet konkrete që ata duhet të marrin prej tij. Ajo nënvizoi se zvarritja e procesit ka sjellë kosto ekonomike dhe sociale për qytetarët e vendeve kandidate, të cilët përballen me çmime më të larta, më pak mbrojtje dhe më pak akses në mundësitë që gëzojnë qytetarët e Bashkimit Europian.
“Qeveritë shkojnë dhe vijnë, qeveritë ndryshojnë dhe duhet të ndryshojnë, por qytetarët duhet të përfitojnë nga procesi i integrimit”, deklaroi Tabaku.
Ajo vlerësoi se Partia Popullore Europiane e ka vendosur zgjerimin në qendër të agjendës politike, duke e konsideruar integrimin si mekanizmin më të rëndësishëm për ndërtimin e institucioneve, përmirësimin e demokracisë dhe krijimin e balancave të qëndrueshme në vendet kandidate.
Duke iu referuar edhe protestave të fundit në Tiranë, Tabaku tha se qytetarët kanë treguar se demokracia u përket atyre dhe se duhet ta mbrojnë sa herë që qeveritë përpiqen ta dobësojnë apo ta kufizojnë.
Fjala e Tabakut
Dy ditë intensive diskutimesh në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane, grupimit më të madh të partive të qendrës së djathtë në Europë.
Në qendër të diskutimeve ishte procesi i integrimit, zgjerimi, siguria dhe mbrojtja e rendit demokratik.
Konkluzioni kryesor është i qartë: na duhet më shumë integrim dhe më shumë zgjerim, por, mbi të gjitha, na duhet më shumë demokratizim, më shumë institucione që zbatojnë ligjin, më shumë barazi para ligjit dhe më shumë luftë kundër korrupsionit.
Procesi i zgjerimit është tashmë një nevojë gjeostrategjike. Por kjo nuk duhet të na bëjë të mbyllim sytë përballë shkeljes së ligjit dhe mungesës së standardeve.
Në fund të ditës, në qendër të këtij procesi kanë qenë dhe duhet të mbeten qytetarët.
Gjatë gjithë kësaj zvarritjeje të procesit të integrimit, qytetarët kanë përjetuar vështirësi ekonomike, rritje çmimesh, më pak mbrojtje sesa qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian dhe më pak përfitime nga afrimi me Europën.
Prandaj, duhet ta përshpejtojmë këtë proces për qytetarët.
Qeveritë shkojnë dhe vijnë. Qeveritë ndryshojnë dhe duhet të ndryshojnë. Por qytetarët duhet të përfitojnë nga procesi i integrimit.
Partia Popullore Europiane e ka vendosur procesin e integrimit në qendër të diskutimeve, duke pasur parasysh se ai është mekanizmi i vetëm që ndërton institucione, përmirëson demokracinë dhe krijon balancat e duhura.
Ashtu siç tregojnë edhe protestat e fundit në Tiranë, qytetarët e kanë në dorë demokracinë dhe duhet ta mbrojnë atë sa herë që qeveritë përpiqen ta cenojnë.