TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Athinë te Greqisë në datat 16-17 dhjetor.
Në fokus të diskutimeve do të jetë mbështetja e Greqisë për integrimin evropian të vendit, ndërkohë që në axhendë janë parashikuar disa takime. Spiropali do të nisë vizitën ditën e nesërme me një takim me presidentin grek, Konstantinos Tasoulas, takim i cili pritet të mbahet në orën 12:00.
Në orën 12.45, Spiropali do të ketë një takim dypalësh me homologun e saj George Gerapetritis, ku fokusi i diskutimeve do të jetë forcimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Po ashtu, ministrat do të diskutojnë çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve me frymën e mirëkuptimit mes palëve, ndërsa më pas do të mbajnë edhe një deklaratë të përbashkët për shtyp rreth orës 14.30.
“Ministrja Spiropali do të nënvijëzojë rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Greqisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe për të avancuar idenë e një hapësire të përbashkët europiane në rajonin tonë, ku vendet e Ballkanit Perëndimor të trajtohen si një tërësi strategjike. Në qendër të bisedimeve do të jetë edhe komunitetiti shqiptar në Greqi, si dhe nevoja për përshpejtimin e negociatave drejt nënshkrimit të marrëveshjes së shumëpritur për mbrojtjen sociale, që përfshin njohjen e pensioneve për qytetarët e të dy vendeve.”, thuhet në komunikatën e ministrisë.
Më pas, në orën 16:00, është parashikuar një bashkëbisedim me akademikë dhe ekspertë të Fondacionit Helenik për Politikën e Jashtme dhe Europiane (ELIAMEP) me fokus rrugëtimin europian të Shqipërisë. Në 19.00, Spiropali do të takohet me komunitetin shqiptar në Greqi, në një pritje të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Athinë.
Në ditën e dytë të vizitës, Spiropali, mëngjesin e së mërkurës, në orën 09:00, do të takohet me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Dendias.
Në orën 09.45, Spiropali do të takohet me përfaqësues të bizneseve dhe sipërmarrjeve që operojnë mes Shqipërisë dhe Greqisë, për potencialin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Vizita e Ministres do të përmbyllet me një takim me ambasadorët e vendeve të BE, si dhe ambasadorët e akredituar në Shqipëri, me rezidencë në Athinë, rreth orës 12.30, të fokusuar në perspektivën europiane të vendit tonë.