AKTUALITET, 10 Korrik 2023, 10:41

SPAK kërkon arrestimin e Arben Ahmetajt, kërkesa mbërrin në Kuvend

SPAK kërkon arrestimin e Arben Ahmetajt, kërkesa mbërrin në

SPAK ka dërguar në Kuvend kërkesën për arrestimin e ish zv/kryeministrit Arben Ahmetaj.

Kërkesa është protokolluar në Kuvend paraditen e sotme. Ahmetaj është i dyshuar si i përfshirë në aferën e inceneratorëve.

Me kërkesën e SPAK, pritet që Ahmetajt t’i hiqet imuniteti i deputetit për t’i hapur rrugë arrestimit të tij.

Hetimet ndaj tij nisën në kuadër të procesit të aferës së inceneratorëve. Mbi bazën e këtyre hetimeve ndaj Ahmetajt janë ngritur tre akuza penale.

Më herët SPAK ka ushtruar kontrolle në banesën e partneres së Arben Ahmetajt në Hamallaj dhe në vilën e ish bashkëshortes së tij në Palasë. Të dyja këto banesa janë konfiskuar me urdhër të SPAK.

Ahmetaj ka depozituar dy kërkesa për heqjen e masës së konfiskimit duke i cilësuar ato të paligjshme.

Sipas ligjit pas kërkesës së SPAK, duhet të mblidhet komisioni dhe në rast se vendoset që Ahmetaj të mbajë mandatin e deputetit prokurorët do të depozitojnë në Kuvend provat ndaj ish zv/kryeministrit.

Akuzat

Ky shtetas, rezulton se ka marrë cilësinë e personit nën hetim, në kuadrin e procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale të:

• “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, vetëm dhe në bashkëpunim, në formën e deklarimit të rremë, dhe në formën e fshehjes, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë, neni 25 i K.Penal,

• “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i K.Penal, 6 (gjashtë) herë;

• “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal.