TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka dalë në një konferencë shtypi këtë mbrëmje, pasi u mësua se gjykata ka vendosur detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë vendit për të, pasi akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv.
Berisha i quajti akuzat politike dhe e cilësoi prokurorinë të kapur nga Edi Rama.
Ai hodhi poshtë akuzat edhe ndaj dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, i arrestuar ditën e sotme, për akuza që lidhen me privatizimin e ish Kompleksit Partizani dhe shtoi se opozita do të ngrihet në protesta.
"Lidhur me këto akuza, deklaroj se janë pa asnjë bazë dhe sulme të ulëta të mirëfillta politike të Edi Ramës dhe jo vetëm të atij. Edi Rama mendon se duke angazhuar prokurorinë e tij dhe ndaluar familjarët e mi, në momentin kur opozita ka nisur betejën pa kthim, për rivendosjen e pluralizmit politik, do të mundë të frenojë dhe godasë aksionin opozitar. Me këtë rast deklaroj para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar, asnjë manipulim dhe drejtësi e instrumentalizuar, nuk do të mund të ndalojë qëndresën e opozitës deri në fitoren e kauzës së saj".
Berisha bëri disa akuza ndaj Ramës, të cilin e akuzon si orkestruesin e goditjes së SPAK ndaj tij dhe dhëndrit Malltezi.
"Edi Rama ka hyrë në agoninë e tij politike. I tronditur gjer në placë nga krimet e tij, nga aferat në të cilat nuk ka drejtësi në botë që e shpëton, afera McGonigal, afera e djegësve, sterilizimit, portit të Durrësit, afera e Butrintit. Edi Rama, pasi ka humbur mandatin e deputetit siç thotë Kushtetuta, me tenderat që ka fituar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, thjeshtëra e tij me emrin Xhillari, me tenderat që ka fituar Fangu apo burri i motrës së Linda Ramës, me implikimin e kësaj të fundit në bordet e bankave, de fakto në përputhje me Kushtetutën, nuk është më deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Edi Rama, pasi ka grabitur në mënyrë suksesive, votën e shqiptarëve dhe eleminoi pluralizmin politik në parlament, pasi u damkos nga qytetarët e Kosovës, si vëllai u Vuqiqit, nga opozita si argat i Beogradit dhe nga bota si Pashiqi shqiptar dhe pas fillimit të lëvizjes opozitare pa kthim, dje në parlamentin e Shqipërisë, ai urdhëroi prokurorët e tij mercenarë, të denoncuar publikisht në këtë sallë, për fshehje dokumentash, manipulim dosjesh, bashkëpunim me krimin dhe bandat për të lëshuar urdhër në kundërshtim me Kushtetutën, nenin 73 të saj, i cili përcakton se liria e deputetit në çdo formë dhe lëvizje, nuk mund të cenohet pa miratimin e parlamentit. Por, duke qenë autor i një propozimi të tillë në vitin 2012, që ky nen të hiqet, unë pranoj plotësisht sfidën.
As kufizimi im për të lëvizur nëpër Shqipëri apo jashtë vendit, unë jam deputet dhe duhet të takohem me zgjedhësist, të cilët sot ndihen më “Sali Berishë” se kurrë, nuk mund të ndodhte pa miratimin e komisioneve përkatëse parlamentare. Këtu prokuroria është thjesht një seksion i PS dhe mund të merret çdo vendim.
Siç informohem, ndaj meje është ngritur akuza për korrupsion pasiv dhe larje parash. Kurse dhëndri im është ndaluar sot në aeroport tek priste të shoqen, që kthehej nga jashtë. Ndalohet pa u marrë kurrë në jetën e tij në pyetje për asnjë problem, nga asnjë prokuror dhe asnjë gjykatës i vendit.
Lidhur me këto akuza, deklaroj se janë pa asnjë bazë dhe sulme të ulëta të mirëfillta politike të Edi Ramës dhe jo vetëm të atij. Edi Rama mendon se duke angazhuar prokurorinë e tij dhe ndaluar familjarët e mi, në momentin kur opozita ka nisur betejën pa kthim, për rivendosjen e pluralizmit politik, do të mundë të frenojë dhe godasë aksionin opozitar. Me këtë rast deklaroj para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar, asnjë manipulim dhe drejtësi e instrumentalizuar, nuk do të mund të ndalojë qëndresën e opozitës deri në fitoren e kauzës së saj", tha Berisha.