NË FOKUS, 28 Shtator 2023, 21:58

Ministri i Brendshëm i Kosovës kundër propozimit të Ramës: Nuk kemi nevojë për KFOR-in në katër komunat e Veriut

Ministri i Brendshëm i Kosovës kundër propozimit të

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se policia e Kosovës është e aftë ta menaxhojë situatën në katër komunat e Veriut pa patur nevojë për marrjen nën kontroll të këtij territori nga KFOR, siç propozoi kryeministri Edi Rama gjatë një konference për shtyp. 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Sveçla deklaroi se kryeministri Kurti ka kërkuar patrullim të përbashkët me KFOR, por në vijën kufitare dhe jo në komunat e Veriut. 

Pjesë nga biseda: 

Andi Bushati: Ju e thatë që ajo bandë terroriste nuk ishte as për të vendosur barrikadë dhe as për të vrarë një polic. Frika ime është që ai që ka projektuar një qëllim më të madh, nuk e lë me një herë të vetme. Frika është që ngjarje të tilla mund të përsëriten. Mendoni se forca e sigurisë së Kosovës, është e aftë ta përballojë këtë shkallë të re rreziku? Apo duhet që KFOR të marrë nën kontroll veriun e Kosovës?

Xhelal Sveçla: Plotësisht pajtohem me ju, që Serbia nuk ka përfunduar planet e saj. Kemi informata se ka grupe të tjera që janë trajnuar, ka kampe trajnimi në veri të Kosovës, ka me dhjetëra paramilitarë të cilët në vazhdimësi trajnohen për të realizuar aksione të tilla. Ne po punojmë që jo vetëm të parandalojmë, por edhe nëse ndodhin të marrin përgjigjen e merituar. Deri tani, policia e Kosovës po tregohet jashtëzakonisht e suksseshme, profesionale dhe e përgjegjshmë ndaj rreziqeve, si për vendin edhe për të tjerët. Beteja ka ndodhur përreth manastirit, dhe nuk kemi asnjë dëmtim në drejtim të manastirit.

Andi Bushati: A keni nevojë për më shumë mbështetje?

Ylli Rakipi: Kryeministri Rama tha, që të marrë KFOR nën kontroll veriun.

Xhelal Sveçla: Jo nuk ka nevojë KFOR të marrë nën kontroll asgjë. Kemi policinë e Kosovës që po tregohet si një nga institucionet më të suksesshme.

Andi Bushati: Kryeministri Kurti sapo ka dalë me një reagim, që ka thënë pranojmë patrulla të përbashkëta të KFOR. Kryeministri i Shqipërisë ka thënë që KFOR të marrë nën kontroll veriun.

Xhelal Sveçla: Ajo çfarë ka thënë kryeministri Kurti është për patrullime të përbashkëta në vijën kufitare. Kemi vështirësi për vijën kufitare për shkak të marrëveshjes së Kumanovës. Prandaj kryeministri ka thënë që është mirë që brenda këtij shiriti, është mirë të kemi patrullim të përbashkët, por nuk bëhet fjalë për menaxhimin e situatës në katër komunat.