AKTUALITET, 25 Janar 2024, 22:11

'PD e Berishës qenka më demokratike se partia fashiste e Ramës'/ Bushati debaton me Sejaminin: Këtu kemi arritur, kjo është tragjedia

'PD e Berishës qenka më demokratike se partia fashiste e

Analistët Andi Bushati dhe Neritan Sejamini debatuan në në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, për zhvillimet në PD, pas masës së arrestit shtëpiak për ish-kryeministrin Sali Berisha. Bushati tha se kjo çështje po çel debatin demokratik në partinë që nuk ka qenë asnjëherë demokratike, ndryshe nga PS-ja e Ramës. Ndërsa për analistin Sejamini PD ende nuk e ka zgjidhur dilemën e udhëheqësit dhe fati personal i udhëheqësit është fati i partisë.

Biseda:

Andi Bushati: Opozita, falë Edi Ramës, ambasadës Amerikane dhe SPAK-ut është në gjendjen më të mjeruar se çdo opozitë në 30 vjet në Shqipëri. Por me gjithë këtë mjerim, nëse i pe kronikat e mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, kishte njerëz që në mjerimin e tyre, debatonin nëse është i zëvendësueshëm Berisha apo jo për të çuar përpara aksionin opozitar. Unë pashë një gjë që e kisha harruar që nga PS-ja e viteve 1992-1996, ku një forum politik në Shqipëri për faktin se SPAK-u, Edi Rama, amerikanët u morën me dominimin e fuqishëm të Berishës, kanë lindur filizat e një debati demokratik. Pra këtu fakti se opozitën donin ta asgjësonin, po e demokratizojnë për brenda. Imagjinoni që debati që u bë dje në PD të bëhet sot në PS. Po bëhet debat demokratik brenda një partie që ka qenë 30 vite antidemokratike. SPAK dhe amerikanët po ringjallin pluralizmin në një vend autokratik.

Neritan Sejamini: Sfida e PD-së është ajo e partive shqiptare. PD ndodhet në këtë sfidë sa është baraz me Berishën dhe sa Berisha është PD. A ka PD-ja më shumë se z. Berisha, jashtë vullnetit të tij, jashtë fatit të tij. Sot çështja kryesore e PD-së është ajo e z. Berisha. Ndërkohë që PD-ja ka zgjedhjet përpara.

Andi Bushati: Jo.

Neritan Sejamini: Sot ti nuk ke një figurë që ta sfidojë z. Berisha, të dalë, të kërkojë dorëheqjen e z. Berisha. Një pjesë e atyre që kanë folur sot kanë qenë kundërshtarë të z. Berisha dhe e shanin.

Andi Bushati: Po kjo është vlera. Dje në PD është zhvilluar nëj debat nëse duhet ta mbronim Berishën në rezolutën e Parlamentit Evropian, kurse gjysma e grupit thotë se ne nuk merremi me çështje personale.

Neritan Sejamini: Po, se këta nuk janë bërë PD, s’e kanë pranuar akoma si udhëheqës z. Berisha.

Andi Bushati: Ndërkohë kemi një parti që në Kongres doli Elisa Spiropali dhe tha se Shqipëria po mbushet me turistë ngaqë lideri ynë suprem i theu hundët ambasadorit rus në Këshillin e Sigurimit.

Neritan Sejamini: Po ti i ke vënë një standard shumë të ulët për ta krahasuar, ti po thua se duhet ta krahasojmë me fundin e fundit. PD ende nuk e ka zgjidhur dilemën e udhëheqësit dhe fati personal i udhëheqësit është fati i partisë.

Andi Bushati: Ti e krahason PD-në me aspiratat që ke ti si Neritan për demokracinë. Pas 33 vitesh nga ’90 që ka qenë autokratike, të përdoret si pasqyrë për të nxjerrë më keq ish-partinë komuniste apo Rilindjen, është mjerim i madh për Shqipërinë. Të jetë partia e Berishës me demokratike se ajo e Ramës, na tregon gjendjen ku kemi degraduar, por qenka me demokratike se partia fashiste e Edi Ramës. Në këtë pikë kemi arritur dhe kjo është tragjedia.

Neritan Sejamini: Partia Socialiste është parti personaliste, personi është partia.

Andi Bushati: Në kohën e Nanos ka qenë partia më e hapur në Shqipëri.