AKTUALITET, 3 Prill 2026, 18:15

“S'lenë gur pa lëvizur që të fusin dyshimin te Shqipëria”/ Rama: E tmerrshme! Njerëz që komunikojnë në gjuhë të huaj, nuk e kanë idenë çfarë dëmi bëjnë

“S'lenë gur pa lëvizur që të fusin dyshimin te

Kryeministri Edi Rama në komunikimin e sotëm me socialistët e njësisë nr.13 në Tiranë gjatë Asamblesë së PS-së, foli edhe për denoncimet në Bruksel të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Rama u shpreh se ata nuk e kanë idenë se çfarë dëmi po i bëjnë vendit dhe procesit të integrimit.

Mirëpo sipas tij, Komisioni Europian nuk gënjehet dot, pasi ata kanë një “ushtri” në Shqipëri që monitoron çdo fushë.

"Pra, 2030 është një vit i arsyeshëm me këtë logjikë, nëse gjërat janë kështu.

Dhe prandaj është kaq e dëmshme kur njerëz që kanë mundësi të flasin me këdo në gjuhë të huaj, njerëz që japin intervista në media të huaja, njerëz që komunikojnë me grupe parlamentare etj., dhe që, pavarësisht se përfaqësojnë këtu forca opozitare, nuk e kanë idenë se çfarë dëmi bëjnë dhe as nuk u intereson fare, kur nuk lënë gur pa luajtur për të futur dyshimin te Shqipëria, për të futur dyshimin te procesi.

Sigurisht që për Komisionin Europian këto nuk pinë ujë, sepse Komisioni Europian i ndjek të gjitha 24 orë, shtatë ditë të javës. Ka këtu një ushtri me njerëz që mbajnë shënime për çdo fushë etj., dhe ata nuk i gënjen dot.", tha ai.