AKTUALITET, 3 Prill 2026, 15:27

Rama pranon problemet me Kadastrën: Ka shumë ankesa, bashkitë duhet të hapin një zyrë juridike ndihmëse! Do të lehtësojë qytetarët

Rama pranon problemet me Kadastrën: Ka shumë ankesa, bashkitë

Kryeministri Edi Rama iu kërkoi bashkive që të ngrenë një zyrë të ndihmës juridike për Kadastrën, duke pranuar problematikat që raportojnë qytetarët. 

Ai theksoi se ka shumë probleme me Kadastrën, por që sipas shefit të qeverisë, kjo lidhet me moskryerjen e aplikimit në mënyrë të rregullt ligjore. Në takimin me kryetarët e bashkive, kryeministri u shpreh se hapja e zyrave juridike ndihmëse nëpër bashki do të lehtësojë qytetarët.

“Kadastra, në bashkëpunim me çdo bashki, por këtu duhet angazhimi juaj, të ndërtojë planet prioritare të legalizimit. Në mënyrë që të legalizojmë procesin dhe ta bëjmë më të drejtë e transparent për aplikuesit duke vendosur një sistem ku ata që kanë aplikuar më parë janë të parët për të marrë përgjigje, po ashtu përcaktimi i zonave prioritare. Të kemi një punë të përbashkët dhe të koordinuar më të mirë. Duhet patjetër që bashkitë të hapin një zyrë të ndihmës juridike për kadastrën. Ka shumë ankesa për kadastrën, por shumë prej tyre vijnë nga moskryerja e aplikimit në mënyrë të rregullt ligjore. Nuk ka asnjë problem që bashkitë të hapin një zyrë të ndihmës juridike enkas për shërbimin e kadastrës dhe legalizimeve. Është diçka që do të lehtësojë maksimalisht qytetarët në mënyrën e kuptimit sesi bëhet një legalizim. Këtë do ta ndjekë ministri i Pushtetit Vendor”, tha Rama.

Ai përmendi gjithashtu mbrojtjen ndaj zjarreve, duke theksuar se ka mangësi, ndërsa shtoi se do të nisin prodhimin e mjeteve zjarrfikëse, të cilat do t’iu vendosen në dispozicion bashkive.

“Jemi të vetëdijshëm për mangësitë e trashëguara në logjistikën që lidhet me zjarrfikësit. Për këtë arsye kemi miratuar një projekt të paraqitur nga ministri i pushtetit vendosur lidhur me mobilizimin e një financimi të nevojshëm duke shfrytëzuar kapacitetet e kompanisë që është një shoqëri e përbashkët shtetërore dhe private e krijuar rishtaz në sistemin tonë të ministrisë së mbrojtjes. Do nisim të vëmë në dispozicion të bashkive automjetet zjarrfikëse që janë të domosdoshme”, tha Rama.

Rama paralajmëroi gjithashtu edhe penalitete për qytetarët teka po fliste për sistemin e adresave.

“Një pikë tjetër e rëndësishme është puna për të finalizuar sistemin e adresave, duke kërkuar të gjithë ju të angazhoheni shumë seriozisht në atë pjesë të punës që takon bashkive. Finalizimi do angazhimin e individëve dhe në pikat e planit të punës do të ketë një pikë për penalitet për ata që nuk bashkëpunojnë me pushtetin vendor për t’u bërë pjesë e sistemit të adresave”, tha ai.