AKTUALITET, 10 Shkurt 2026, 13:52

Skenarët/ Protesta e PD-së, Berisha: Do mbrojmë me çdo çmim vlerat tona! Hapet sipari i tubimeve para ambasadave nëpër botë

Skenarët/ Protesta e PD-së, Berisha: Do mbrojmë me çdo

Pak orë para nisjes së protestës kombëtare të Partisë Demokratike ditën e sotme para kryeministrisë, Sali Berisha në një deklaratë për mediat nga selia blu ka zbuluar skenarët e tubimit nga demokratët.

Berisha u shpreh se skenari i protestës është skenari i një kryengritjeje të fuqishme paqësore.

Ai theksoi se protesta do të dëshmojë se demokratët dhe shqiptarët nuk mposhten kurrë nga një narkokraci dhe se janë të vendosur të mbrojmë me çdo çmim vlerat e përbashkëta që njerëzit e lirë ndajnë në Shqipëri dhe në botë.

“Skenari i protestës është skenari i një kryengritjeje të fuqishme paqësore, që do të përcillet sot më shumë se kurrë në vatrat e të gjithë shqiptarëve, por edhe në Bruksel, SHBA dhe qendra të tjera kryesore, për të dëshmuar se ne nuk mposhtemi kurrë nga një narkokraci dhe se jemi të vendosur të mbrojmë me çdo çmim vlerat e përbashkëta që njerëzit e lirë ndajnë në Shqipëri dhe në botë”, tha ai.

Berisha shtoi se skenari i sotëm zhvillohet pas dështimit të fazës së parë të grushtit të shtetit dhe pas inicimit të fazës tjetër nga Edi Rama.

“Skenari i sotëm zhvillohet pas dështimit të fazës së parë të grushtit të shtetit dhe pas inicimit të fazës tjetër nga Edi Rama. Ai zhvillohet gjithashtu pas “kartonit të zi” që iu nxor në Bruksel një njeriu që, për të mbuluar vjedhjet e tij, është i gatshëm t’i vërë flakën një procesi aq jetik sa integrimi në BE, ëndrra më fisnike e shumë brezave, për Shqipërinë zonjë në Europë”, u shpreh kryedemokrati.

Ndërkohë ai njoftoi se shumë shpejt do të ketë protesta para selive diplomatike shqiptare nëpër borë.

“Ftojmë qytetarët që të organizohen për protestat më të fuqishme që janë organizuar ndonjëherë para përfaqësive ndërkombëtare, Këto protesta do të japin kontributin e saj me anëtarë dhe mbështesë, dhe janë jetike.

Në këto çaste dhe në këto momente, Rama ka tejkaluar çdo lloj ligji dhe morali ndaj shqiptarëve. Pra kjo protestë shënon dhe hap siparin e fillimit të protestave pranë përfaqësive të narko-shtetit që t’u thonë të tjerëve se ne përfaqësojmë popullin shqiptar”, tha ai.