TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, doli sot në konferencë për mediat vetëm katër orë para protestës kombëtare të opozitës në bulevardin para Kryeministrisë në Tiranë, duke deklaruar se do jetë uragani i shpresës dhe fitores, për të ardhmen në Evropë të Shqipërisë dhe për ta shpëtuar vendin nga narkoregjimi i Edi Ramës.
Ai nënvizoi se vizita e Ramës në Bruksel është kthyer si ajo e një narkodiktatori që mori kartonin e zi nga ndërkombëtarët, për shkak të situatës ku e ka futur vendin me skandalet e korrupsionit dhe vjedhjes së parave të shqiptarëve.
“Uragani i madh i shpresës së fitores së opozitës dhe kombit shqiptar. Unë erdha përsëri t’ju drejtoj thirrjen time gjithë shqiptarëve si shqiptari shqiptarit, qytetari qytetarit, të bashkohemi sot në bulevard, në rrugët e Tiranës, në një nga momentet më kritike të historisë tonë. Sot në Bruksel, përfaqësuesit e vendeve më të mëdha të Evropës, patën para tyre narkodiktatorin e parë të kontinentit, Edi Rama. Patën para tyre njeriun që me vjedhjet e tij në organizatë kriminale, është i aftë dhe i gatshëm me papërgjegjësi të plotë të shkelmojë për interesat e tij ato të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Patën para tyre njeriun të cilin i detyroi vendet kryesore të BE-së t’i nxirrnin jo kartonin e kuq, por kartonin e zi”, tha ai.
Berisha i bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të mblidheshin të gjithë në Tiranë e të derdheshin rrugëve për rrëzimin e regjimit. Ai shtoi se “kupa e Edi Ramës është derdhur”, ndaj sot më shumë se kurrë duhet të derdheshin në Bulevard.
Ai akuzoi kreun e qeverisë se po dëmtonte integrimin e Shqipërisë dhe shpresa e vetme e qytetarëve ishte vetëm opozita, e cila i ka përcjellë mesazhe edhe partnerëve të BE dhe SHBA.
“Kupa e Edi Ramës është derdhur prej kohësh. Ndaj sot më shumë se kurrë duhet të jemi në atë bulevard, për të përcjellë mesazhin tonë se nuk pajtohemi kurrë me një organizatë hajdute që ka vjedhur shqiptarët shuma përrallore të buxhetit, pasuri të pafundme, ka vendosur ligjin e mafies dhe tani do me çdo kusht të djegë të ardhmen tonë në Evropë. Ai ka kaluar çdo normë. Ky është mesazhi që i përcjellim shqiptarëve në Shqipëri dhe në të katër anët e dheut. Ia përcjellim këtë mesazh BE-së, SHBA-ve kudo që janë”, u shpreh lideri i opozitës.