AKTUALITET, 13 Tetor 2022, 21:49

"Si ka mundësi që policia nuk ka nxjerrë asnjë foto të Martinajt?"/ Sejamini: Policia nuk do ta sulmojë krimin, ka frikë se i mbeten ngjarjet në dorë

"Si ka mundësi që policia nuk ka nxjerrë asnjë foto
Ervis Martinaj dhe Neritan Sejamini

Neritan Sejamini thotë se Policia e Shtetit nuk do të luftojë krimin, i cili sot është i shtrirë në të gjithë vendin. 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Sejamini tha se krimi sot është faktor i rëndësishëm ekonomik, politik dhe i drejtësisë. 

"Për Martinajn nuk ka asnjë fotografi të tij nga policia. Në media janë foto që janë kapur diku. Pse ky person që supozohet që ka inskenuar zhdukjen e tij ose është rrëmbyer, pse policia nuk ka hedhur në treg një fotografi të këtij personi? Ky fakt është domethënëse.  Kemi polici që nuk do ta sulmojë krimin. Policia ka frikë se mos i ngel ndonjë ngjarje në dorë, si kjo apo si Dumani. Dumani u plagos, udhëtoi nga Elbasani në Fier dhe u zbulua sepse e shitën. Pra kemi polici që nuk do të luftojë krimin.

Këta sa kapen tregojnë, pra nuk ka as sofistikim. Nuk ka nevoje për metoda të sofistikuara hetimi. Ka disa lloje vrasje me pagesë. Është bërë si të porosisësh pica. Krimi është në sipërfaqje fare dhe policia nuk vepron. Kemi industri të krimit dhe ekonomi të krimit. Është ekonomi informale dhe kriminale.

Jetojmë në shoqëri, ku krimi është shoqëri më vete.

Sot krimi është faktor i rëndësishëm ekonomik, politik dhe i drejtësisë", deklaroi Sejamini.