AKTUALITET, 3 Gusht 2025, 12:59

"Si grackë"/ Antropologu Bardhoshi: Në Shqipëri ligjet shkruhen duke e parë çdo qytetar si kriminel potencial

"Si grackë"/ Antropologu Bardhoshi: Në Shqipëri ligjet

Në Shqipëri, sikurse në shumë vende të formësuara nga tradita me prirje autoritare, ligjet në shumicën e rasteve nuk shkruhen si hapësira brenda të cilëve qytetarët mund të rriten dhe zhvillohen me dinjitet, por si mënyra për si gracka, në pritje që secili prej nesh të gabojë.

I ftuar në episodin e 29-të të Apostrof Podcast, antropologu Nebi Bardhoshi, shprehu shqetësimin e tij edhe karshi kolegëve në komisionet e hartimit të ligjeve, të cilët ai thotë se nisen gjithmonë nga paragjykimi se çdo qytetar është një kriminel potencial.

“Kam qenë ekspert disa herë, jam thirrur për ligjet. Më ka bërë shumë përshtypje, kolegët e mi, të cilët gjithmonë në përfytyrimin e tyre, dilte një qytetar kriminel që donte t'ia hidhte shtetit. Ky përfytyrim duhet të hiqet. Nuk mund ta nisësh një ligj, sidomos kur s'ka të bëjë me të drejtën penale, me idenë që gjithkush këtu është duke dashur t'ia hedhi sistemit.”

Në vend të ligjit 'si pengesë apo si grackë', ai propozon një tjetër metaforë, atë të ligjit si rrugë dhe si ftesë për t’u takuar dhe negociuar, ku qytetarët mund të ndjekin aspiratat e tyre. Është një këndvështrim që sfidon dyshimin e rrënjosur thellë në një pjesë të madhe të kulturës ligjore shqiptare, ku shteti shihet gjithnjë si fortesë, ndërsa qytetari duhet të provojë vazhdimisht pafajësinë e tij.

"Duhen bërë ligje si rrugë, si vende, si shtegtime ku njerëzit mund të ecin, bëhen bashkë, negociojnë, udhëtojnë, ushtrojnë subjektivitetin e tyre, rriten, arrijnë qëllimet, aspiratat. Jo si pengesa."

Bardhoshi shprehet në Apostrof se, nevojitet një tjetër qasje, e cila mundëson ligje ku njerëzit mund të ushtrojnë subjektivitetin e tyre në mënyrë aktive, duke mos mbetur qytetarë pasivë në pritje të rregullave që disiplinojnë jetët e tyre.