AKTUALITET, 23 Nëntor 2023, 13:56

Shtyhet seanca për Jamarbër Malltezin, kërkoi heqjen e sekuestrove të pasurive

Shtyhet seanca për Jamarbër Malltezin, kërkoi heqjen e

Apeli i GJKKO-së ka shtyrë seancën gjyqësore për ankimimin e Jamarbër Malltezit dhe bashkëshortes së tij, Argita Malltezi, për heqjen e masës së sekuestros për pasuritë e tij.

Gjyqtarja e çështjes, Iliriana Olldashi vendosi që seanca të zhvillohet në datën 24 nëntor në orën 12:00.

Ndërkohë Prokuroria e Posaçme ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Olldashi nga shqyrtimi i ankimit të Malltezit për heqjen e sekuestrove, me argumentin e konfliktit të interesit.

Jamarbër malltezit i janë sekuestruar 25 pasuri, ndër to apartamente, një vilë , 6 llogari bankare dhe aksione ne kompani.

Sipas shortit të datës së sotme, kërkesën për përjashtim do ta shqyrtojë gjyqtarja Miliana Muça.      

Pak ditë më parë, e njëjta gjyqtare vendosi të nxirrte nga qelia Malltezin, duke i caktuar masën e sigurisë së “arrestit në shtëpi”.

Njoftimi i gjykatës:

Duke iu përgjigjur interesit të lartë të medias dhe publikut, mbi zhvillimin e seancës gjyqësore të datës 23.11.2023, ora 09:00, mbi çështjen penale nr. 168 akti, datë 13.11.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesit/personit nën hetim J.M. dhe palës së interesuar A.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 410, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar mbi vendosjen e sekuestros preventive mbi sendet, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, informon se trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, urdhëroi shtyrjen e seancës gjyqësore për në datë 24.11.2023, ora 12:00.