AKTUALITET, 27 Nëntor 2025, 22:41

"Është e vështirë të kontrollohen nga autoritetet shqiptare", Lala ngre alarmin e radikalizimit të qytetarëve, pas arrestimit të Hamza Ukës

"Është e vështirë të kontrollohen nga autoritetet

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në MCN TV, duke komentuar arrestimin e dy personave të cilësuar të rrezikshëm, Julian Cumraku dhe Erzen Uka, pak ditë më parë në fshatin Orosh të Fushë Arrëzit, ngriti alarmin për radikalizimin e dhjetra qytetarëve në zona që nuk kontrollohen nga autoritetet.

Lala tha se rrjetet sociale të Ukës janë ende të hapura dhe të mbushura me propagandë pro-ISIS dhe ato nuk janë bllokuar.

“Gjykata e Shkodrës caktoi masën arrest në burg për Julian Cumraku dhe Erzen Ukën për armëmbajtje pa leje, akuzat e tjera nxitje urrejtje fetare apo vepra me qëllime terroriste nuk ka akuzë, por po hetohet.

Në banesën ku ata u ngujuan dhe bënë rezistencë u gjet një flamur i ISIS dhe shqetësimi im si gazetare dhe qytetare është që elementë të tillë, është e vështirë të kontrollohen nga autoritetet shqiptare.

Nuk kemi struktura për të mbajtur nën vëzhgim dhjetëra qytetarë që janë kthyer nga Siria. Ka të tjerë që kanë ndërruar jetë. Ka që janë rikthyer, gra dhe fëmijë, dhe është e pamundur të bëjë de-radikalizimin e tyre.

E kam hasur këtë zotëri, ka patur disa emra. Kur u arrestua për herë të parë, stërviste fëmijët të kryenin luftime si ato të luftëtarëve të ISIS. Ai nuk njihte autoritetin e gjykatës, nuk çohej në gjykatë në këmbë, nuk shihte gjykatësin në sy.

Prokuroria duhet të na sqarojë pse u gjendën në fshatin Orosh në Fushë Arrëz. Kanë shkuar se ka një celulë? Kanë rekrutuar të rinj dhe të reja? Cili ishte aktiviteti i tyre?

Po të shihje rrjetin e tij, edhe sot të hapur, ka shpërndarë materiale problematike, lehtësisht të aksesueshme edhe nga fëmijët. Institucionet duhet t’i bllokojnë këto faqe. Është një element i radikalizuar dhe duhe të hetohet në të gjithë veprimtarinë e tij. Kanë platforma të dedikuara që komunikojnë me njëri-tjetrin.

Në Xhaminë e Unazës së re u zbulua në atë kohë grupi i imamëve që rekrutonin dhe dërgonin njerëz për xhihad.

Sa i përket plagosjes, shtëpia ku ishin ngujuar ishte mjerim. Flitet për një tunel, që po shihet se për çfarë ka qenë.

Janë strehuar atje, sepse zona është shumë e thellë, kur janë ndjekur nga policia kanë hyrë aty për t’u ngujuar. Lidhur me plagosjen e tij lehtë në këmbë, pritet të bëhet ekspertimi, a janë armët e tyre apo të RENEA, por RENEA ka pretenduar se kanë qëlluar ata nga brenda”- tha Lala.