TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Avokati Ili Gërdupi, në një lidhje me emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, shpjegoi se çfarë konkretisht do të shqyrtojë Gjykata Kushtetuese në 2 dhjetor për Ballukun dhe pezullimin e saj nga detyra.
“Kërkesa për Ballukun është që vendimi i pezullimit nga detyra të pezullohet nga Gjykata Kushtetuese. Do të duhet që mbledhja e 8 gjyqtarëve që janë aktualisht në detyrë të vendosin nëse vendimi i Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit do të pezullojë efektet e veta deri në shqyrtimin e gjykatës kushtetuese, ose jo.
Nuk ka patur raste të deritanishme që gjykata kushtetuese të marrë në shqyrtim një vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë, pa patur më pas ezaurimin e Apelit dhe Gjykatës së Lartë dhe rrjedhimisht unë nuk mund t'ju them sa janë gjasat që kjo të ndodhë, sepse është një rast krejt i paprecedent që nuk ka ndodhur më parë.
Në rastin konkret, ne kemi një kërkesë që të pezullohet një vendim që është i Shkallës së Parë, pra pa u shqyrtuar ende nga Apeli dhe nga Gjykata e Lartë.
Dhe rrjedhimisht, nuk e di nëse Gjykata Kushtetuese do të jetë në gjendje, do të ketë edhe kompetencën ligjore që të mund të thotë që të pezullojë një vendim, i cili pezullon zonjën Balluku nga detyra.
Themeli i kërkesës është a ka shkelje të kompetencave, pra a ka ky cenimi i imunitetit që po i bëhet zonjës Balluku? A është vetëm një cenim i imunitetit procedurial, pra i imunitetit të parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale?
Kjo është një çështje që shkon tek thelbi i konfliktit dhe i drejtohet konfliktit midis pushteteve. Pra nuk prek në mënyrë të drejtpërdrejtë zonjën Balluku. Nëse do të ketë një vendimarrje që ka cenime dhe ka shkelje të kompetencave, Gjykata e Posaçme nuk do të mund ta merrte këtë masë sepse është një cenim pushteti, atëherë do të rrëzohej masa e pezullimit dhe zonja Balluku do të mund të rikthehej në detyrë”- tha avokati Gërdupi.